Teleferiku me 6 ulëse futet në funksion! Sulejmani: Qeveria duhet të fokusohet tek teleferiku Tetovë – Kodra e Diellit

TË FUNDIT

Edhe pse me vonesë nisi sezoni turistik në Kodrën e Diellit, teleferiku me 6 ulëse sot u lëshua në përdorim për turistët. Të pranishëm në inagurimin ishin ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi dhe drejtori i Elem Tursit Adem Avziu, të cilët u ngjitën për të parë pamjen panoramike që fal ky teleferik.

“Është një investim bashkëkohor i llojit të vet, është një skilift që nuk ka asnjë vend  në Ballkanin Perëndimor, një mundësi e re për skijatorët që të hapen shtigje të reja dhe njëkohësisht të tërheqë turistë shtesë në Kodrën e Diellit por jo vetëm skijatorët por mund ta shfrytëzojnë edhe  turistët për shëtitje panoramike”, deklaroi Bekteshi.

“Është nder dhe kënaqësi ti shohim këto turistë të cilët do të mund ta shohin këtë gjashtëulëse për shëtitje panoramike si dhe për skijim, gjashtëulësja është në funksion dhe  jo vetëm gjatë sezonit do e shfrytëzojmë këtë prioritet”, tha Adem Avziu – drejtor i ELEM turs.

Sipas Avziut  problem mbetet parkingu. Por premton nga dita e nesërme kjo do të zgjidhet.

“Parkingu që gjendet mbi Hotel Sllavia dhe Skardus ta mirëmbajmë në vazhdimësi dhe të mundësojmë që të kemi kapacitete më të mëdha të veturave, ai parking është i madh dhe minimum 200 deri në 300 vetura mund të parkohen në atë parking”, shtoi Avziu.

Nga iniciativa “Ta Shpëtojmë Kodrën e Diellit” shpresojnë që ky teleferik të jetë në funksion ­çdo ditë. Kërkojnë nga qeveria të fokusohet në ndërtimin e teleferikut Tetovë – Kodra e Diellit .

“Për të funksionuar gjashtëulësja vizitorët duhet të arrijnë dhe jo të bllokohen në kolona nga 4  deri në 5 kilometra  apo të mbesin të ngujuar duke u kthyer për në Tetovë  por mos përmendim edhe fatkeqësitë ku ambulanca mbeti një orë e gjysmë dhe ngeli e ngujuar  dhe kur të funksionete teleferiku Tetovë Kodra e Diellit atëherë shumë më ndryshe do funksiononte edhe kjo zonë turistike”, tha Hamdi Sulejmani – aktivist, “Ta shpëtojmë kodrën e diellit”.

Çmimi për një shëtitje me teleferik është 150 denarë, ndërsa nga Elem Turs thonë që ky teleferik do të jetë në funksion edhe gjatë verës. Teleferiku ka kapacitete prej 2400 personave në orë ndërsa është i gjatë tre kilometra. Si projekt-ide është që nga viti 2012. Qeveria ka premtuar krijimin e kushteve pwr prodhimin e borës artificiale si dhe teleferikun nga qyteti i Tetovës në Kodrën e Diellit.