Tekniku sulmohet me thikë nga pacienti, drejtori i SPQ “8 Shtatori” rrit masat e sigurisë

TË FUNDIT

Derisa mbrëmë tekniku mjekësor 36-vjeçar po shpërndante terapinë, papritur një pacient 77-vjeçar e sulmoi me thikë të vogël.

“MPB njofton se D.T.(36) nga Shkupi, punonjës në spital, është lënduar pasi është therur me thikë nga M.N.(77) nga Shkupi, pacient në spital”, njoftojnë nga MPB.

Tekniku është në gjendje të mirë, me nja plagë të lehtë në zonën e kraharorit, por stresi është i madh, tregon për TV21 drejtori i Spitalit të Qytetit “8 Shtaroti” Hristijan Kosotov, ku edhe ka ndodhur incidenti. Pas kësaj pacienti shprehu keqardhje dhe pendim dhe nuk e dinte se çfarë kishte bërë. I njëjti disa herë është shtruar në spital për shkak të insuficiencës kardiake. Sipas Kostov bëhet fjalë për diagnozë F 06, pra një çrregullim mendor që shfaqet në mënyrë akute dhe nuk është i parashikueshëm.

“Arsyeja nuk dihet, mund të jetë rezultat i sëmundjes primare të pacientit për të cilën vjen te ne, për fat të keq kjo nuk mund të parashikohet, përndryshe gjatë sulmit ka shfrytëzuar një mjet të vogël  të mprehtë dhe tekniku mjekësor ka një lëndim të vogël, një plagë në pjesën e kraharorit. Lëndimi nuk është i madh por stresi i personelit mjekësor është”, pohoi Hristijan Kostov – drejtor i SPQ“8 Shtatori”.

Sulmet e këtilla nga ana e pacientëve dhe familjarëve kundrejt stafit mjekësor nuk janë të rrallë, thotë drejtori i Spitalit të Qytetit. Për këtë arsye ai tregon se do të përforcojnë sigurinë në këtë institucion shëndetësor.

“Kjo na jep arsye që të rrisim masat e sigurisë dhe të bëjmë kontrolle më të mëdha të pacientëve që vijnë në institucionin tonë, kontroll më të madh të mjeteve që kanë me vete, me qëllim që të rrisim sigurinë e personelit mjekësor tek ne”, deklaroi Hristijan Kostov – drejtor i SPQ“8 Shtatori”.

Në lidhje me incidentin kanë reaguar ashpër nga Sindikata e pavarur e punëtorëve shëndetësorë.

Apelojnë që qytetarët që kanë nevojë për kujdes shëndetësor, të lënë armët dhe thikat në shtëpi dhe të jenë të paarmatosur në institucionet shëndetësore si dhe të jenë psikofizikisht të gatshëm për të zgjidhur problemet e tyre shëndetësore.