Policia e Kosovës në raportin e fundit 24-orësh ka njoftuar për gjashtë persona të arrestuar për gjuajtje me armë zjarri në ahengje familjare.
Në fshatin Mramor të Prishtinës janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj, nga të cilët policia ka konfiskuar armën -pistoletë Ekol Dual me një karikator dhe pesë fishekë të cal. 9 mm dhe pesë fishekë të tjerë me gas si dhe një pushkë gjuetie me 27 fishekë të cal. 12 mm. Me urdhër të prokurorit pas intervistimit njëri prej të dyshuarve dërgohet në mbajtje ndërsa i dyshuari tjetër lirohet në procedurë të rregullt.
Nga i arrestuari që ka gjuajtur mbrëmë në dasmën në Rr. “Fitorja” në Hajvali njësiti policor ka konfiskuar një pistoletë me gaz te cal 9mm, tri gëzhoja dhe një karikator të zbrazët. Me urdhër të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje.
Po ashtu për shkak të festimit me armë zjarri, dje pasdite janë arrestuar dy persona në Gjilan, në Rr. “Mumin Beqiri”. Me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë kontrolluar shtëpitë e të dyshuarve me ç’rast është gjetur dhe konfiskuar një armë-revole me gaz Ekol e cal. 9 mm. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit lirohen në procedurë të rregullt.
Te i arrestuari për të njëjtën vepër në fshatin Zajm të Klinës njësiti policor ka gjetur dhe ka konfiskuar armën AK-47 me një karikator me të cilin dyshohet se i dyshuari ka shtënë, po ashtu nga i njëjti është konfiskuar edhe një pushke gjuetie e cal.12 mm me leje të skaduar. Me urdhër të prokurorit pas intervistimit i dyshuari lirohet në procedurë të rregullt.
