Zgjedhjet e parakohshme parlamentare, VLEN i përgjigjet BDI-së

TË FUNDIT

Pas kërkesës së opozitares BDI për zgjedhje të parakohshme, ka reaguar VLEN që siç tha, askush nga partia e BDI-së nuk mori përgjegjësi për humbjen në zgjedhjet lokale duke shtuar se “BDI po i shpërblen humbësit”. VLEN tha se shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare .

“Mashtruesit e BDI-së, përpara se ta hapin gojën për zgjedhje, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale. Ali Ahmeti vazhdoi të shiste mjegull me trukun e vjetër të tërheqjes, Bujar Osmani humbi Çairin dhe mbeti nënkryetar dhe lojtar kryesor për fronin e BDI-së, Bajram Rexhepi humbi Tetovën dhe mbeti në kryesinë e partisë, ndërsa Faton Ahmeti u shpërblye për humbjen e tij në zgjedhje me dy poste të reja në parti, nënkryetar dhe shef i kabinetit të Ali Ahmetit. 

Në BDI, me sa duket nuk ka përgjegjësi për humbjen, por humbësit shpërblehen.

E njëjta histori përsëritet në Haraçinë, Bogovinë, Tearcë, Strugë, Zhelinë, Saraj dhe Dollnen. Humbën zgjedhjet, por askush nuk lëvizi, askush nuk dha llogari dhe askush nuk e lëshoi karrigen.

Bisedat për legjitimitet dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme janë vetëm për në shtëpi, për t’i mbajtur të njëjtët politikanë në kondicion dhe për t’u shitur shpresë se së shpejti do të kthehen në pushtet për të vjedhur përsëri. Por këto përralla nuk kalojnë më as në Reçicë të Vogël.

BDI-ja e di shumë mirë se më pak se një vit më parë, shqiptarët me votë i larguan nga të gjitha komunat me shumicë shqiptare dhe se çdo përballje e re me qytetarët do të thotë një tjetër shuplakë për ta. Në zgjedhjet e ardhshme, qytetarët do ta përfundojnë punën dhe kjo udhëheqje e pareformuar e cila funksionon si një politbyro, do ta dërgojnë direkt në pension politik”, tha VLEN.