BDI sfidon VLEN-in për zgjedhje të parakohshme! VLEN kundërpërgjigjet me akuza ndaj BDI-së

TË FUNDIT

BDI-ja sërish sfidon pushtetin për zgjedhje të parakoshme. Integristët akuzojnë VLEN-in se po hesht për kërkesën për zgjedhje, duke pretenduar se shmang përballjen me qytetarët nga frika e rezultatit

“Kanë kaluar 24 orë nga kërkesa për zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga s’vlen-i ende asnjë fjalë. Ata që shkelën legjitimitetin, tani fshihen sapo u kërkohet që legjitimitetin ta matin para qytetarëve. s’Vlen-i e di se nuk e ka pasur dhe nuk e ka mbështetjen e shqiptarëve. E di se pushteti i tij mbështetet te lëmosha e padronëve politik dhe te frika nga vota e lirë. Nëse kanë marrë leje, le t’i pranojnë zgjedhjet e parakohshme. Heshtja e tyre tashmë është përgjigje: kanë frikë nga qytetarët dhe nga verdikti që i pret”, tha BDI.

Kërkesës së BDI-së VLEN i përgjigjet duke akuzuar partinë e Ahmetit se ka humbur mbështetjen e shqiptarëve dhe se pavarësisht humbjeve në zgjedhjet lokale, drejtuesit e saj nuk kanë marrë përgjegjësi politike.

“Mashtruesit e BDI-së, përpara se ta hapin gojën për zgjedhje, duhet të shpjegojnë pse askush në partinë e tyre nuk mori përgjegjësi politike pas humbjes në zgjedhjet lokale. Ali Ahmeti vazhdoi të shiste mjegull me trukun e vjetër të tërheqjes, Bujar Osmani humbi Çairin dhe mbeti nënkryetar dhe lojtar kryesor për fronin e BDI-së, Bajram Rexhepi humbi Tetovën dhe mbeti në kryesinë e partisë, ndërsa Faton Ahmeti u shpërblye për humbjen e tij në zgjedhje me dy poste të reja në parti, nënkryetar dhe shef i kabinetit të Ali Ahmetit”, tha VLEN.

Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, deklaroi se partia e tij është e gatshme për zgjedhje të parakohshme parlamentare, me ekip dhe program të përgatitur, por theksoi se nuk do të shërbejë si alibi për kryeministrin Mickoski për thirrjen e zgjedhjeve.

“E kam thënë disa herë, çdoherë jemi të gatshëm edhe me ekip edhe me një program të mirë me një plan që do e prezantojmë, Master Plani për maqedoninë, që do ta prezantojmë në fillim të shtatorit. Qytetarët e dijnë ofertën tonë kurdo që të jenë zgjedhjet, por ‘alibi’ të Hristian Mickoskit për zgjedhje nuk do të jemi”, deklaroi Filipçe.

Kryeministri Hristijan Mickoski dje deklaroi se qeveria është e gatshme të shkojë në zgjedhje të parakohshme nëse opozita e kërkon, duke theksuar se koalicioni qeverisës nuk i frikësohet përballjes me qytetarët duke u shprehur i bindur se do t’i fitojë zgjedhjet. Megjithatë, sipas tij, qytetarët aktualisht nuk kërkojnë zgjedhje, ndërsa mandati i qeverisë është katërvjeçar.