Gjendja epidemiologjike në Gostivar është vënë nën kontroll, ndërsa Qendra për Shëndet Publik Tetovë mori vendim për ndërprerjen e epidemisë. Ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski, informoi se për momentin nuk ka raste të reja të problemeve shëndetësore të lidhura me ujin e pijshëm. Ai sqaroi se në spitalin e Gostivarit nuk ka pasur hospitalizime të mirëfillta, por vetëm qëndrime afatshkurtra deri në 24 orë. Sipas autoriteteve, gjendja me ujin dhe shëndetin e qytetarëve në qytet po stabilizohet. Me ndërprerjen e epidemisë, gjendja në Gostivar gradualisht po kthehet në normalitet. Gjendja e krizës 30-ditore në Gostivar u shpall nga Qeveria më 20 korrik, për shkak të ndotjes së ujit të pijshëm dhe pamundësisë së vetëqeverisjes lokale për t’u përballur me gjendjen dhe epideminë që preku disa mijëra qytetarë.
“Sot Qendra për Shëndet Publik Tetovë vendosi ta ndërpresë gjendjen e epidemisë në Gostivar. Sipas të dhënave të tyre epidemiologjike, nuk ka më raste të gastroenteritit ose enterokolitit, apo problemeve me stomakun, të lidhura me ujin e pijshëm”, tha Klekovski.
