Të shtëna në një shkollë në Tajlandë, të paktën shtatë të vdekur, mes tyre edhe sul*muesi

TË FUNDIT

Të paktën shtatë persona humbën jetën në një sulm tragjik me armë zjarri në një shkollë në Tajlandë, pasi një nxënës hapi zjarr dhe më pas i dha fund jetës së tij, njoftoi një përfaqësues i policisë tajlandeze.

Nxënësit, të kapluar nga paniku, u larguan me vrap nga shkolla “Debsirin Nonthaburi”, e cila ndodhet në periferi veriperëndimore të Bangkokut. Ndërkohë, të plagosurit u transportuan me autoambulanca, ndërsa mësuesit përqafoheshin dhe qanin. Në fotografitë e publikuara nga shërbimet e urgjencës shihet një person i shtrirë në barelë pranë një autoambulance, ndërsa një tjetër i plagosur po merr ndihmë mjekësore.

Një nxënës 18-vjeçar deklaroi për Reuters se fillimisht kishte menduar se bëhej fjalë për fishekzjarre ose për dikë që po godiste një objekt metalik.

“Nuk e mendova aspak se bëhej fjalë për armë. Dëgjoheshin shumë të shtëna – bam, bam, bam. Pastaj për pak çaste gjithçka u qetësua, por më pas të shtënat rifilluan”, tha ai.

Zëdhënësi i Policisë Kombëtare, nënkoloneli Trirong Pophan, tha për Reuters se i dyshuari për sulmin është mes shtatë viktimave. Ai shtoi se 15 persona kanë mbetur të plagosur.

Ministri i Arsimit, Prasert Jantararuangtong, deklaroi për Reuters se mes viktimave ka edhe mësues dhe nxënës. Policia konfirmoi se sulmuesi ishte nxënës i kësaj shkolle.

Ky është rasti i dytë i të shtënave në një shkollë në Tajlandë gjatë këtij viti, pasi në muajin shkurt një mësuese u vra dhe një nxënës u plagos në një sulm të armatosur në jug të vendit.

Shpëtimtari Kijatihun Werapongpradit (47) tha se ekipi i tij mbërriti në vendngjarje ndërsa sulmi ende vazhdonte. Ekipet mjekësore u dhanë ndihmën e parë nxënësve me plagë nga armët e zjarrit në shpinë, gjoks dhe duar. Në katin e sipërm të shkollës gjetën një mësues të pajetë, ndërsa në një klasë tjetër një mësuese me plagë nga armët e zjarrit në gjoks dhe në krah.

“E reanimuam për rreth 30 minuta dhe e transportuam menjëherë në spital, pasi nuk arritëm t’i rikthenim ritmin e zemrës. Bëmë gjithçka që mundëm”, deklaroi ai.

Sipas autoriteteve lokale, gjatë vitit shkollor 2025 shkolla kishte rreth 3.100 nxënës dhe 147 mësues. Zëvendësministri i Arsimit, Akraranan Kanakitinan, njoftoi se po koordinon aktivitetet për ofrimin e ndihmës për të gjithë të prekurit.

Mbajtja e armëve të zjarrit dhe dhuna e armatosur nuk janë dukuri të rralla në Tajlandë, e cila gjatë gjashtë viteve të fundit është goditur nga një seri sulmesh vdekjeprurëse, ku mes viktimave ka pasur edhe fëmijë.