Të punësuarit në ish-kompaninë “Centro” dolën në protestë para hapësirave të drejtorisë së dikurshme. Thonë se edhe pas më shumë se 20 vjetëve, ende nuk i kanë marrë rrogat e tyre dhe aksionet, edhe pse një pjesë e kapitalit të kësaj ndërmarrjeje është duke u shitur. Kryetari i trupit koordinues për mbrojtje të kapitalit të “Centros”, Xhejnan Xheladin, thotë se me vite të tëra marrin premtime se do t’u paguhen paratë, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.
“Ja, këtu është edhe dokumenti me shkrim nga gjykatësja, Irena Petrushevska. Udhëheqësi i falimentimit, Aco Petrov ka marrë gjysmë milionë si shpërblim. Ku janë paratë tona? Rrogat tona? Këtë magazinë e kemi ndërtuar ne, me paratë tona është ndërtuar”, tha Xhejnan Xheladini, Trupi Koordinues për Mbrojtje të Kapitalit të “Centros”.
“Kjo këtu është ndërtuar me paratë tona. Aso kohe merrnim nga 500 dinarë rrogë, i gjithë stafi, duke filluar nga pastruesi e deri te drejtori, që të ndërtohet kjo këtu. E tani të gjithë po tërhiqen dhe nuk na i japin paratë tona. Kjo është turp. Nuk e dimë ku të drejtohemi më“, tha Slloboda Karapanxhova, ish e punësuar në “Centro”.
Të punësuarit në ish-Shoqatën Aksionare “Centro” i bëjnë thirrje Policisë Financiare që të hapë rast, pasi siç thonë, prona e ndërmarrjes po shitet në mënyrë joligjore, pa iu paguar atë që e kërkojmë. Ata rrëfejnë se kah fundi i viteve 90’, kur kompania ka shkuar në falimentim, kanë mbetur në rrugë, pa të holla, por edhe pa sigurim shëndetësor. Pyesin çka do të ndodhë me pronën e kësaj kompanie dhe ku kanë përfunduar paratë nga objektet që janë shitur?
“Kërkojmë që të na paguajnë dhe të hyjë Policia Financiare dhe të kontrollojë, të shohë çka ka, ta shohin grabitjen që po ndodh në “Centro”. Kapitali po shkatërrohet, po shitet. Varfëri e rëndë dhe pasanikë “të rëndë” që shitën dyqane, super-markete, drejtori në qendër. Njerëzit vdiqën, prandaj jemi kështu. Nuk kishte kush t’i varrosë. Kishte rast me një koleg, nuk kishte kush, prandaj ne mblodhëm para që të bëhet varrimi i njeriut”, Ratka Stojanovska, ish e punësuar.
Si ndodhi që SH.A. “Centro”, kompani me zinxhir të madh dyqanesh, magazinash dhe objektesh të tjera, të hyjë në falimentim? Pas më shumë se 20 vjetëve nga mbyllja e dyqanit të fundit, rreth 800 të punësuar ende po i kërkojnë rrogat e papaguara dhe aksionet. Shpresë shohin në zëvendëskryeministrin për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi, me të cilin së shpejti duhet të takohen dhe t’ia shpjegojnë situatën e tyre.
