“Të punësuarit në çerdhe sot do të marrin rroga”, Trençevska: Çerdhet vonë e dorëzuan listën deri te Ministria

TË FUNDIT

Në llogaritë bankare të të punësuarve në çerdhe nga sot do të arrijë paga e muajit prill, siguron ministrja e Punës dhe Politikës Sociale, Jovanka Trençevska. Në një deklaratë për TV21, kur u pyet për ankesat e punonjësve në çerdhe të cilët thonë se filloi qershori e ata ende nuk i kanë pagat e muajit që ishin në grevë, ministrja Trençevska fajin për vonesat e hodhi tek çerdhet të cilat janë vonuar në përgatitjen e përllogaritjes së re të pagave sipas marrëveshjes së re kolektive.

 “Sot do të marrin rroga. Vonesat janë për shkak të ndryshimeve dhe plotësimeve të Marrëveshjes kolektive që e bëmë pas grevës së edukatorëve dhe përkëdhelësve. Në negociatat me SAShK ndryshuam pjesën për pagat e edukatorëve dhe përkëdhelësve dhe për shkak mënyrës së re të përllogaritjes së pagave, vetë çerdhet vonë e dorëzuan listën deri te Ministria e Punës dhe Politikës Sociale. Gjatë ditës së djeshme ishte dërguar lista në thesar, sot të gjitha edukatorët dhe përkëdhelëset dhe punonjësit e tjerë në çerdhe do të marrin paga”, tha Jovanka Trençevska, ministre e Punës dhe Politikës Sociale.

Megjithatë kur pyetëm drejtoreshën e çerdhes “Fidani” Gzime Bakiu se ku qëndron problemi që të punësuarit nuk kanë rroga, gishtin e drejtoi tek institucionet tjera.

 “Të them të drejtën për këto problematika mund t’i pyetni institucionet kompetente që janë. Ju faleminderit. Më falni!”, tha Gzime Bakiu, drejtorëshë e çerdhës “Fidani”.

Të punësuarit në çerdhe se bashku me mësimdhënësit muaj më parë u hodhën në grevë për paga më të larta, pas çka u arrit marrëveshje me Qeverinë për rritje të rrogës për 15%, ndërsa deri para grevës, përkëdhelëset në kopshte merrnin pagë prej 18 mijë denarëve, ndërsa edukatoret rreth 24 mijë denarë.