Të punësuarit e NPK “Tetova” protestojnë për 4 rrogat/ Komuna thotë se janë të nxitur politikisht

TË FUNDIT

Kjo ditë feste, të punësuarit e higjienës komunale Tetovë i gjeti duke protestuar për rrogat e tyre të cilat kanë 4 muaj pa i marrë.

Thonë se nuk po kërkojnë asgjë më shumë veç asaj që u takon, sepse janë edhe pa sigurim shëndetësor, e pa para nuk mund të bëjnë as kontrolle në mjek.

“Ne e bëjmë këtë për tre muaj, katër muaj rrogat nuk janë lëshuar rroga e 13 nuk është e lëshuar. U bëjmë apel drejtorëve ne nuk jemi kundër askujt ne duam rrogat dhe nuk dalim t’i marrim mbeturina pa mos i marr katër rroga, me vendime pa vendime, ju lutem kundër punës nuk kemi jemi, për rrogat na mbytën telashet. Unë me 22 mijë rroga, a 14 mijë 15 mijë paguaj barna, ku është ushqimi, ku janë fëmijët ku janë sendet, ne të gjithë varemi nga kjo o zotëri, edhe bëjnë shumë manipulime, na thoin shko të drejtori, shko te sekretarja, shko andej, ç’është kjo?! Askush nuk merr përgjegjësi, shefi ynë ka shkuar, i bën telefon drejtorit kryesor, ai thotë bëni ç’të doni, domethënë unë e kam mbush pushkën ju vraponi pas lepurit.”

“Shkurt, fjalën tonë nuk e llogarit askush dhe kjo vjen deri te kjo ndalesë se ne nuk na intereson kush çka bën, neve na intereson ekzistenca jone bre vëlla ne e kemi fjalën për rrogën. Mund ta mendosh edhe vet sa e vështirë të jesh kryefamiljarë dhe të rrish tre apo katër muaj pa rrogë. Unë para dy javësh isha, akoma jam me grip dhe paguaj barna sende, unë jam me kontratë por edhe këto që janë me vendime nuk kanë sigurim, sigurimin e paguajnë për 28, 29, 30 për tre ditë, nuk është njerëzore.”

I menjëhershëm ka qenë reagimi i Komunës së Tetovës. Thonë se çështja e rrogave do të zgjidhet me operatorin privat, ndërsa protestën e të punësuarve e shohin si të nxitur politikisht.

“Është e rëndësishme të theksohet se Komuna e Tetovës tashmë ka një kontratë e cila është nënshkruar me një operator privat dhe kjo kontratë, e cila hyn në fuqi nga data 1 dhjetor 2023 do të rezultojë në kalimin e punëtorëve nga ndërmarrja komunale tek ndërmarrja e re për menaxhimin e mbeturinave “OENEUM”. Me këtë ndryshim, të gjithë ata punëtorë do të marrin pagat e tyre në rregull, kurse Komuna e Tetovës ka marrë për obligim që të sigurojë pagesën e gjitha pagave të mbetura prapa për këta të punësuar. Ne si institucion mirëkuptojmë situatën me të cilët ballafaqohen punëtorët, një situatë e palakueshme dhe trashëguar ndër vite, por dyshojmë se pikërisht reagimi i sotëm, në ditën kur të gjithë po festojmë festën e flamurit, mund të jetë i motivuar politikisht.”- Komuna e Tetovës.

Kjo nuk është hera e parë që të punësuarit e NPK Tetova dalin në protestë për shkak të rrogave. Para një viti komuna ndalu 25 milionë euro për pagat të punësuarve të NPK Tetova por edhe pas këtyre mjeteve përsëri të punësuarit e NPK Tetova nuk arrijnë t’i marrin rrogat në kohë.