Të papunët ndihen të injoruar nga qeveria/ MPPS: Nuk u ndihmojmë sepse do të bëhen pasivë

TË FUNDIT

Ka 15 vjet që paraqitet në Entin për punësim për të kërkuar punë, por nuk ka pasur sukses.

Megjithatë ne në moshën tonë nuk mund të gjejmë punë, kam 62 vjet edhe dy vjet në pension, megjithatë shumë vështirë për punë, kishte konkurse për punë mirëpo me këtë moshë nuk mund të punësohemi.

Qytetari thotë se Qeveria u ka bërë padrejtësi të papunëve që nuk i ka përfshirë në pakon e ndihmave.

Mendoj se kjo është një padrejtësi. Duhet të fillohet nga të papunët, pastaj pensionistët edhe më tej si vijon. Të papunët janë në një kategori të pa lakmueshme, janë të injoruar nga qeveria. Para disa vitesh kishte një ndihmë, por ajo më u harrua dhe askujt më nuk i intereson për ne.

Masat e qeverisë i kritikojnë edhe shumë qytetarë të tjerë të papunë.

Katastrofë, si mundet që t’u ndihmohet disa kategorive që kanë e mos t’u ndihmohet dikujt që nuk ka aspak. Konkretisht ja për shembull unë ndoshta kam ndonjë ndihmë nga familja, po të tjerët që nuk kanë, s’kanë bukë për të ngrenë. Katastrofë!

Mendoj se duhet të përfshihen të gjitha kategoritë e qytetarëve, duke filluar nga të papunët, kategoritë e rrezikuara dhe atyre që u duhet ndihmë.

Unë mendoj se kjo as nuk do të ndodh, nuk do t’u ndihmohet, ky është maskim.

Pyetëm në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale se përse në masën anti-krizë nuk është përfshirë edhe kategoria e qytetarëve të papunë. Na thanë se qëllimi nuk është që ata të mbeten pasivë.

“Sistemi i mbrojtjes sociale u krijua që të mund të absorbojë të gjithë ata qytetarë që u gjendën në rrezik social, por qëllimi nuk është që ata të mbeten pasivë në sistem, por të aktivizohen në tregun e punës.”- deklaroi Ministria e Punës dhe Politikës Sociale.

Përndryshe mbi 200 mijë qytetarë të kategorive të rrezikuara do të marrin mbështetje financiare në katër muajt e ardhshëm. Këtu përfshihen përfitues të ndihmës minimale të garantuar, pensionistë me pension të ulët, prindër vetushqyes dhe të falimentuar, kjo kategori përfshin personat e papunë – shfrytëzues të së drejtës për siguri materiale në formën e kompensimit monetar.