Të pakënaqur me buxhetin për kulturë! Shoqatat shqiptare në Kumanovë kërkojnë “korrigjim të padrejtësisë”

TË FUNDIT

Shoqatat kulturore shqiptare në Komunën e Kumanovës janë të pakënaqura me ndarjen e buxhetit për kulturë, sport dhe aktivitete arsimore-edukative. Në një reagim me shkrim, e quajnë buxhet skandaloz dhe diskriminues për kulturën shqiptare. Për drejtorin i Ansamblit “Bajram Shabani”, Dritan Ramadani, thotë se mjetet e ndara nuk janë në nivelin e duhur për shkak se aktivitetet kulturore janë tejet të shtrenjta.

 “Me vite të tëra edhe më herët niveli apo vlera me të cilat i kanë përmbajtur, përkrah shoqëritë kulturore-artistike ka qenë minimale. Këtë vit është ngritur me një nivel minimal e që nuk ka të bëje mjetet e duhura që një shoqëri kulturore-artistike mund të ekzistojë dhe mund të funksionojë”, deklaroi Dritan Ramadani – drejtor i Ansamblit “Bajram Shabani”.

Siç theksojnë në reagimin e tyre, shoqatat presin nga këshilltarët komunal që të korrigjojnë këtë padrejtësi, ose thonë se do të jenë të detyruar të marrin hapa më radikalë.

Këshilltari Fitor Jakupi nga radhët e BDI-së, tha se ndarja e buxhetit është diskriminues jo vetë në sferën e kulturës po në gjitha fushat, andaj edhe nuk e votuan ndarjen e buxhetit.

 “Kemi reaguar dhe e kemi parë të arsyeshme për shkak se ndarja e buxhetit nuk është proporcionalisht e ndarë në mënyrë të barabartë. Do të kemi edhe reagime të tjera në qoftë se në Kuvendin tonë nuk rregullohen çështjet sipas standardeve proporcionale”, potencoi Fitor Jakupi – këshilltar komunal – BDI.

Ndryshe Driton Sulejmani nga Alternativa theksoi se ndarja e buxhetit është me rritje rekorde, përfshirë kulturën dhe sportin. Sipas tij buxhetet do të shfrytëzohen për manifestime multi-kulturore dhe se mund të aplikojnë të gjithë.

 “Momenti kur ndahen buxhet çdoherë paraqiten pakënaqësi. Sa i përket programit për kulturë ky buxhet do të financojë dy programe. I pari është i Fondacionit për kulturë dhe sport “Kumanova” për të cilën komuna ka miratuar një buxhet prej 8.850.000 den. Programi tjetër është programi i Komunës së Kumanovës”, u shpreh Driton Sulejmani, këshilltar komunal – Alternativa.

Kryetarja e Këshillit të Komunës së Kumanovë, Ivana Gjorgjievska, për TV21 sqaroi se mjetet e destinuara për ngjarje kulturore do të shpërndahen pas shpalljes dhe realizimit të thirrjes publike nga Komuna e Kumanovës, sipas kritereve të përcaktuara ku mund të gjithë të aplikojnë. Sipas Programit të miratuar nga Këshilli mjetet e buxhetit të dedikuara për ngjarje kulturore në vitin 2022 arrijnë në 14 milionë denarë.