Të martën do të bëhet i ditur ministri i Shëndetësisë! Mexhiti: Edhe pa Taravarin do të kemi të njëjtin numër deputetësh

TË FUNDIT

Pas bisedimeve që kemi zhvilluar këto ditë, me shumë gjasa gjatë javës së ardhshme do të propozojmë kandidatin për ministër të shëndetësisë, deklaroi zëvendëskryeministri i parë Izet Mexhiti, i cili përsëriti se resori i shëndetësisë mbetet në kuadër të VLEN-it, por nuk deshi të japë më shumë detaje se kush do të trashëgoje Taravarin.

Se resori i shëndetësisë do të mbetet i VLEN-it konfirmoi edhe deputet i VMRO-DPMNE-së Bojan Stojanovski. Sipas tij, vendimi i Taravarit për t’u larguar nga Qeveria ishte shumë i gabuar.

“Në seancën e 20-të, pra javën e ardhshme, do të konstatohet dorëheqja e z.Taravari. Deri më tani, në Kuvend nuk janë dorëzuar dorëheqje nga anëtarët e tjerë të Qeverisë. Nga aspekti i resorëve, është e rëndësishme që marrëveshja për përfaqësim të barabartë të të gjitha partive politike do të mbetet e pandryshuar. Ndërsa për pjesën tjetër nuk ka shumë gjasa të ketë ndryshime, resorët me shumë gjasë do të mbeten të njëjtë”, tha Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.

Mexhiti tha se shumica është e qëndrueshme dhe konfirmoi se në lojë janë 4 deputetë nga Fronti Europian të cilët pritet t’i bashkohen shumicës parlamentare, me çka, sipas tij, edhe pa Taravarin do të kenë 13-14 deputetë. Kur u pyet nëse kjo nënkupton negociata me Aleancën për Shqiptarët të Selës, Mexhiti nuk deshi të japë detaje, vetëm tha se janë pjesë e Frontit Europian.

Sipas Mexhitit, pjesa më e madhe e krahut të Taravarit është kundër bashkëpunimit me BDI-në, ndërsa lëvdoi punën e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai.

Dje u formua grup i ri deputetësh, ku u ftuan të bëhen pjesë edhe deputetët e ASH-së së Taravarit. Grupi u formua pa ta dhe tani koordinator është Bekim Qoku.