Ende po negociohet që sa më shpejtë Maqedonia e Veriut të fitojë një datë për nisje të bisedimeve aderuese në Bashkimin Evropian.
Këtë e konfirmoi vetë Komisionari për zgjerim Johanes Han para fillimit të Këshillit për punë të jashtme të BE-së në Luksemburg.
I pyetur nëse shtatori është kompromis i mirë që Maqedonia dhe Shqipëria të marrin datë, komisionari tha se ky nuk është vendimi i tij, andaj atij vetëm i është dashur ta pranojë. “Çdo vonesë sjell rreziqe, ndërsa mua nuk më pëlqejnë rreziqet kur nuk ka nevojë për to” shtoi Han duke i përcjellë Francës dhe Holandës këtë mesazh:
“Mesazhi im për të gjithë është që ta kuptojnë situatën në rajon dhe perspektivën e tij. Një shtet ka investuar shumë në perspektiven evropiane. Lidershipi ka treguar guxim dhe lidership, dhe nëse kjo nuk shpërblehet, ne jo vetëm që humbim rëndësinë tonë por edhe kredibilitetin dhe besueshmërinë. Kështu që gjithçka që kemi investuar me sukses viteve të fundit është ne rrezik nëse ne nuk angazhohemi në realizimin e premtimeve tona”, deklaroi Komisari për Zgjerim, Johanes Han.
Edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së Federika Mogerini me të njëjtat mesazhe si kolegu i saj. Madje ajo sot kujtoi se është një vjetori i nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës andaj tha se shpreson që këtë guxim dhe lidership ta rikujtojnë edhe shtete anëtare kur të sjellin vendim.
“Unë mendoj se duhet të rikujtohemi për lidershipin dhe guximin, si dhe hapat e rëndësishëm që i kanë ndërmarrë në Ballkanin Perëndimor. Unë shpresoj që shtet anëtare do të kujtojnë dhe njohin këto hapa përparimi, veçanërisht në ditët në vijim, në marrjen e vendimi të rëndësishëm për hapjen e negociatave aderuese si për Shqipërinë po ashtu edhe Maqedoninë e Veriut, që unë shpresoj dhe besoj se duhet sa më shpejtë të jetë e mundur”, potencoi përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini.
Nesër Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian pritet të miratojnë përfundimet dhe rekomandimet për hapat e ardhshëm të vendeve aspirante për në BE. Ndërkaq dje Kryeministri i vendit Zoran Zaev tha se pret vendim pozitiv nga Ministrat e BE-së, që t’i japin shans vendit tonë që deri në fund të vitit të nisin bisedimet aderuese për në Union.
Përgatiti: Besir Arifi
