Nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, më 16 dhe 17 shtator do të qëndrojë në Tirolin e Jugut, ku do të zhvillojë takime me përfaqësues institucionalë dhe ekspertë.
Sipas BDI-së, vizita ka për qëllim njohjen nga afër me funksionimin e modelit të Tirolit të Jugut, veçanërisht në aspektin e barazisë gjuhësore, përfaqësimit proporcional dhe mekanizmave për mbrojtjen e komuniteteve.
“Tiroli i Jugut është një nga modelet më të njohura evropiane të menaxhimit të diversitetit, me barazi gjuhësore, përfaqësim proporcional, bashkëqeverisje dhe mekanizma të posaçëm mbrojtës për komunitetet gjuhësore. Gjatë vizitës, Osmani do të njihet nga afër me funksionimin praktik të këtyre garancive dhe me përvojën se si institucionet e forta të ndarjes së pushtetit e kanë shndërruar një konflikt historik në stabilitet afatgjatë”, thuhet në njoftimin e BDI-së.
Nga partia thonë se kjo përvojë është veçanërisht relevante për Maqedoninë e Veriut, në kontekstin e mbrojtjes dhe forcimit të arkitekturës së Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.
