SHBA-ja pranon se ka vendosur armë në hapësirë ​​

TË FUNDIT

Shtetet e Bashkuara kanë armë të vendosura në orbitë, konfirmoi për herë të parë Forca Hapësinore Amerikane. Bëhet fjalë për kapacitete që mund të përdoren si për mbrojtje, ashtu edhe për operacione sulmuese.

Sipas një deklarate të Forcës Hapësinore, SHBA-ja disponon armë të kontrollit hapësinor të afta për të mbrojtur forcat amerikane nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve. Autoritetet nuk kanë dhënë detaje mbi llojin apo numrin e këtyre armëve.

Rusia dhe Kina, kërcënimi kryesor

Uashingtoni i konsideron Kinën dhe Rusinë si dy rivalët kryesorë që mund të kërcënojnë interesat amerikane në hapësirë.

Sipas SHBA-së, Kina po zhvillon dhe përdor kapacitete hapësinore dhe kundër-hapësinore në kuadër të modernizimit të saj ushtarak, ndërsa Rusia e konsideron hapësirën një fushë të mundshme lufte dhe epërsinë në hapësirë si faktor vendimtar në konfliktet e ardhshme.

Militarizimi i hapësirës nuk është një zhvillim i ri. Që pas lëshimit të satelitit sovjetik Sputnik në vitin 1957, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik nisën të eksploronin mënyra për të armatosur dhe shkatërruar satelitët.

Frika kryesore dikur lidhej me vendosjen e armëve bërthamore në hapësirë. Traktati i Hapësirës së Jashtme i vitit 1967 ndaloi vendosjen e armëve të shkatërrimit në masë në orbitë.

Megjithatë, që prej atëherë, Rusia, SHBA-ja, Kina dhe India kanë zhvilluar mënyra për të zhvilluar luftë në hapësirë, përfshirë aftësinë për të goditur satelitët, të cilët janë jetikë për komunikimet ushtarake, mbikëqyrjen dhe navigimin.