Të hënën rikonstruimi i Qeverisë? Kovaçevski: Dera për Alternativën është e hapur!

TË FUNDIT

Partia e Afrim Gashit, Alternativa është përpara vendimit nëse do të rrijë ose jo në qeveri. Kjo pasi siç kanë deklaruar, partnerët e koalicionit nuk e kanë respektuat marrëveshjen fillestare, me të cilën Alternativa ka pranuar të bëhet pjesë e shumicës parlamentare.
Kryeministri Dimitar Kovaçevski thotë se dera për Alternativën mbetet e hapur, duke shtuar se partnerët e koalicionit dëshirojnë që Alternativa të mbetet në Qeveri, por që partitë politike që janë pjesë e shumicës aktuale, duhet të bëjnë përshtatje të caktuara, me qëllim zgjerimin e shumicës.

“Ne jemi dekord që duam që Alternativa të mbetet pjesë e shumicës parlamentare dhe qeverisëse, duke marrë parasysh që bëhet fjalë për hyrje të një partneri të ri në koalicionin qeverisës, kjo do të thotë rritje të shumicës, kjo do të thotë edhe rregullim i mandateve të deputetëve që do të jetë ndryshe nga rregullimi aktual, kjo do të thotë se partitë politike që janë pjesë e shumicës aktuale, duhet të bëjnë përshtatje të caktuara, me qëllim që të realizohet ky qëllim. Dera për Alternativën është e hapur.”- deklaroi Dimitar Kovaçevski, Kryesministër.

Nga Alternativa thonë se po presin zyrtarizmin e koalicionit të ri.
“Ende nuk kemi marrë vendim, organet e partisë do të mblidhen pas zyrtarizimit të koalicionit të ri.”- thanë nga Alternativa.

Opozita shpesh herë ka akuzuar se zgjerimi i shumicës po bëhet për ta shpëtuar BDI-në për shkak Grupit të Zjarrit, por Kreshnik Bekteshi thotë se në këto kohëra të vështira të gjithë duhet të jenë të të bashkuar.

“Duhet të drejtoheni te Grupi i zjarrit. Me sa di unë ata gjithmonë thonë se punojnë në kuadër të organeve të BDI-së, në përputhje me statusin e BDI-së. Në atë se sa kanë deputetë, duhet t’i pyesni ata, me sa di unë, në Grupin e zjarrit, në thonjëza, janë vetëm dy deputetë. Zotëri Mexhit dhe Zonja Koxhaxhiku. Më e rëndësishmja është që në këto kohëra të vështira të jemi të gjithë të bashkuar, duke përfshirë të gjitha partitë politike që besojnë në integrimin e plotë të shtetit në BE.”- deklaroi Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë.

Mes tjerash mbi negociatat për inkuadrimin e ASH-së në Qeveri, kryeministri tha se LSDM ka sot mbledhje me bordin qendror, ku do të shqyrtohet raporti nga negociatat e deri tanishme mes ekipeve negociuese. Njëjtë sonte mbledh kryesinë qendrore edhe partia e Taravarit, ndërsa rezultatet për një marrëveshje të mundshme do të kuptohen pasi të përfundojnë këto takime.
Seanca për rikonstruimin e Qeverisë është e mundur që të caktohet të hënën, ka thënë kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nëse gjatë ditës ose nesër, kryeministri Dimitar Kovaçevski e dorëzon në Kuvend propozimin për kabinetin e ri qeveritar.