“Të gjithë jemi Jovan Kostadinov” – maturanti nga Vinica i cili u kthye në zj’arr për të shpëtuar jetë

TË FUNDIT

19-vjeçari Jovan Kostadinov nga Vinica është heroi që ka arritur të shpëtojë 20 bashkëmoshatarë në diskotekën “Puls” në Koçan. Psikologia Radmilla Mançevska nga gjimnazi “Vanço Prqe” ku Jovani është nxënës, tregon për këtë akt heroik të maturantit.

“Jovani ka lagur bluzën, është lagur i tëri dhe ka hyrë në diskotekë dhe kështu një nga një ka arritur të shpëtojë 20 të rinj dhe me të vërtetë është për krenari dhe për ta nderuar dhe shpresoj se të rinjtë nga kjo do të nxjerrin mësim të madh. Do të mund ta vlerësojnë atë që është humane, e vlefshme dhe e rëndësishme”, deklaroi Radmilla Mançevska, psikologe në Gjimnazin “Vançe Prqe”

Jovani sot u kthye në mësim, ndërsa shokët e klasës i bënë befasi.

“Ngjarja e sotme dëshmoi se duhet të gjithë të krenohemi dhe se është koha që të fillojmë me disa vlera të reja. Vlera në të cilat do të respektohet humaniteti, vlera me të cilat duhet të identifikohen të gjithë të rinjtë me ngjarjen heroike të Jovanit. Tani të gjithë jemi Jovani dhe themi “Edhe unë jam Jovan Kostadinov” sepse ai shpëtoi më shumë se 20 bashkëmoshatarë. Ai këtë e bëri në mënyrë profesionale”, tha më tej Mançevska.

Gjurmët nga djegiet në trup nuk do ta lejojnë që të harrojë tragjedinë, por as aktin e tij prej heroi. Andaj edhe komuna do t’i ndajë dekoratë.

“Në atë fatkeqësi megjithatë u paraqit edhe një djalë i ri nga Vinica, Jovan Kostadinov, i cili me guximin dhe sakrificën e tij shpëtoi jetë të shumë të rinjve. Sigurisht, kjo nuk ka kaluar pa u vënë re, jo vetëm nga komuna jonë, por edhe nga mbarë Maqedonia, madje edhe jashtë. Andaj ne si komunë nesër në seancë unë si Kryetarë komune do të propozoj që Jovanit t’i ndahet një pllakë për humanizëm dhe guxim. Do të propozoj edhe dhënien e bursës, pasi që Jovani tashmë është maturant për studime 4-vjeçare universitare”, deklaroi Mile Petkov, kryetar i Vinicës.

Një javë më parë, Vinica u dha lamtumirën e fundit dy të rinjve që humbën jetën nga zjarri, ndërsa psikologët vazhdojnë të punojnë me nxënësit pas kësaj tragjedie.