Qytetarë të Kërçovës, të vetorganizuar, protestuan para komunës, duke kërkuar dislokimin e mbeturinave nga deponia që gjendet në qytet, prapa ndërmarrjes publike “Komunalec”.
Protesta filloi me një minutë heshtje për viktimat e Koçanit.
Më pas organizatori i protestës kërkoi zgjidhje për deponinë e cila, siç thonë, është bërë e padurueshme, kundërmon dhe po i mbyt çdo ditë.
“Edhe pse disa herë institucionet na kanë thënë që ky lokacion është vetëm përkohësisht dhe se problemi me mbeturinat do të zgjidhjet për një periudhë të shkurtër ne ende nuk shohim se puna është lëvizur nga pika zero, përkundrazi po shohim që sasia e mbeturinave vetëm se po shtohet dhe rritet, jemi dëshmitarë se e njëjta disa herë po digjet nuk e dimë nëse me qëllim apo rastësisht por e dimë që para 7 muajsh kishte një zjarr të madh dhe tre ditë kemi qenë nën tym dhe erë të keqe”, tha një organizator.
Qytetarët protestues druajnë për shëndetin e tyre, andaj kërkojnë nga kryetari Komunës të gjejë zgjidhje.
Protesta ishte e qetë, ndërsa organizatorët porositën institucionet se nuk do të ndalen këtu sepse do të protestojnë deri në arritjen e qëllimit të tyre. Protesta e radhës u paralajmërua të mbahet pas dy javësh.
I pyetur për këtë problematikë, kryetari i Kërçovës Fatmir Dehari, i tha TV21 se problemi me deponitë tanimë është problem i qeverive të kaluara dhe të tashmes dhe sipas tij në ketë mënyrë do të mundohen t’i menaxhojmë mbeturinat deri në momentin që do të ndërtohet deponia rajonale në Novac të Manastirit. Dehari po ashtu u shpreh se e respekton zërin e qytetarit dhe mundohet të bëjë më të mirën për ta.