Familjarët e viktimave të tragjedisë së Dumro Tursit protestuan, duke kërkuar zbatimin e vendimit të gjykatës. Sipas tyre, të dënuarit tashmë lëvizin lirshëm në Gostivar dhe marrin pjesë në dasma. Avokati i familjarëve, Vlladimir Nikollovski, thotë se ata kanë dalë nga burgu me arsyetimin e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore, por këto lehtësime që parashikon ligji, sipas tij, po keqpërdoren.
Familjarët e viktimave thonë se dhimbja e tyre është e përditshme, ndërsa për ta është e papranueshme që të dënuarit për humbjen e jetëve të familjarëve të tyre të lëvizin të lirë.
Të dënuarit janë Durmish Beluli, pronar i kompanisë “Durmo Turs” dhe udhëheqësi i transportit, Remzi Miftari me nga 10 vjet, si dhe me 5 vjet burg Jane Babarovski, kontrollor teknik.
Ndërkohë, Goran Dukovski dhe Igor Gjorgjievski, kontrollorët teknikë, të dënuar secili me 7 vjet burg, si dhe shoferi i autobusit, Manoil Trifunovski, i cili mori 14 vjet, kanë nisur të vuajnë dënimin që nga 6 qershori.
Kujtojmë që aksidenti ndodhi më 13 shkurt 2019 në autostradën Shkup – Tetovë në fshatin Llaskarcë, jetën e humbën 16 persona ndërsa 38 të tjerë u lenduan.