Zot a ende ka, më lër të pushoj pak…
Kështu reagoi zonja Nikolinka kur mori vesh se është diagnostikuar për herë të dytë me një lloj tjetër kanceri. “I mallkuari” siç e quan ajo, e ka përndjekur tërë jetën, me çka ka pësuar edhe sulm në tru. Sapo e kaloi operacionin në gjëndrën tiroide, kuptoi se ka kancer edhe në gji. Sfidat e saj kanë qenë të shumta, u pajtua me fatin se mund të mos flas kurrë, por kur e humbi gjirin, thotë se i humbi një pjesë e feminitetit. Nuk e lejova asnjëherë të më shihte bashkëshorti në atë gjendje rrëfen ajo.
“Burri im ishte super. Ai kështu kujdesej për mua. Më lante si një fëmijë të vogël. Ai mi lidhte plagët, ma pastronte gypin, ma pastronte operacionin. Ai më ruante si një pikë uji. Megjithatë ai kur më lante unë kështu i mbaja duart. Përse po fshihesh unë të njoh se si ke qenë. Mirëpo unë nuk kam lejuar që të më sheh asnjëherë. Unë nuk ndjehesha rehat aspak”.
Ka 68 vjet, por kudo që e takoni Nikolinkën, ajo gjithnjë është pedante në dukje, e veshur bukur dhe e grimosur. Kur e vizituam në banesën e pensionistëve, e gjetëm teksa thurte xhemper për nipin.
Asnjëherë nuk u ankova përpara fëmijëve tregon Nikolinka, por momenti më i rëndë për mua ishte kur nisën të më bien flokët nga kimioterapia.
“Kalova gjithçka, por më se keqi më erdhi kur u zgjova natën edhe pash se diçka më ecë nëpër trup. Kur e pash një top kaq të madh me flokë. Aq shumë u nervozova sa nisa të shkul flokët e mia. Më kapi një histeri dhe u zgjua burri dhe mi kapi duart “prit e dashur”, ti e ke ditur se do të bien flokët, qetësohu. Në orën dy hyra në banjo dhe shkulja flokët, nervozohesha dhe qaja dhe kur mi prenë flokët të nesërmen, qava por u pajtova edhe me këtë. Vajza ime më solli një paruke nga Australia”.
Bashkëshorti i parë i ka ndërruar jetë nga kanceri, duke e lënë nuse të re, pas 16 vitesh ajo martohet sërish, por i vdes edhe burri i dyti po nga një lloj i kancerit. Nga e njëjta sëmundje ka humbur edhe babanë edhe vëllain, mirëpo asnjëherë nuk u dorëzua dhe vazhdon t’i gëzohet dhe ta dojë jetën.
“Të gjithë që janë të prekur nga kanceri, mbi gjitha gratë me kancer të gjirit le të mos frikësohen, sepse me energji pozitive, me përkrahje të familjes, me dashuri nga fëmijët dhe bashkëshortët do të fitojnë. Le ta dijnë se edhe pas kancerit ka jetë, edhe atë jetë të bukur. Unë e prita atë jetë dhe po e jetoj tashmë 14 vjet dhe dua të jetoj ende, t’i gëzohem fëmijëve dhe nipërve”.
Liridona Beqiri nga shoqata “Borka” për TV21 tha se pacientëve që vuajnë nga kanceri i gjirit nuk u ka munguar trajtimi dhe terminet për kontrolle edhe gjatë pandemisë, përveçse kur është dashur t’i nënshtrohen operacioeneve.
Apelon që femrat të shkojnë në kontrolle me qëllim detektimin sa më të shpejtë dhe shpëtimin nga kjo sëmundje.
