Aleanca për Shqiptarët akuzon Qeverinë se po i sulmon komunat me të cilat udhëheq kjo parti.
Sekretari i përgjithshëm i ASH Arben Taravari, thotë se Kryetarët e komunave të drejtuara nga ASH-ja çdo ditë përballen me sulme brutale nga ana e Qeverisë, gjë që Taravari e quajti hakmarrje politike, agresivitet antiligjor dhe jomoral.
“Gati se nuk ka ditë që institucionet qeveritare të mos e bastisin në mënyrë brutale qeverisjen lokale në Gostivar, Vrapçisht dhe Bogovinë. Inspeksione të arsimit, Polici Financiare, krimi i organizuar; njeriu fiton përshtypjen se i gjithë kriminaliteti në Maqedoni është i përqendruar në Pollogun e Aleancës për Shqiptarët.” – deklaroi Arben Taravari nga ASH.
Përndryshe Taravari u dërgoi edhe një porosi LSDM-së dhe BDI-së.
“Pra këtu jemi përballë jush, i frikësohemi vetëm qytetarëve dhe Zotit dhe askujt tjetër. Urdhëroni, do të jemi përballë jush në çdo moment dhe nuk do t’ju lëm rehat.” – deklaroi Arben Taravari nga ASH.
Akuza serioze ndaj Qeverisë Zaev 2 dje hodhi edhe opozita maqedonase.
“Zaev të ndaloj shpenzimin e miliona eurove për makina të shtrenjta dhe luksoze. Në badema dhe lajthi, sepse 100 mijë qytetarë jetojnë me më pak se 50 den në ditë. T’i zgjidh dhjetra vrasjet e pazgjidhura, djegien e automobilave dhe shtëpive. Të ndërpres shpërndarjen e tendereve kriminel në hotelin në jug të Maqedonisë. Përfundimisht të goditet mafia e cila sot është e njëjtë me qeverinë.” – dekIaroi Igor Janushev – VMRO-DPMNE.
Opozita nuk pajtohet me idenë e kryetarit të Kuvendit, Talat Xhaferi për Kuvend online, thanë se ky është tentim që të heshtet opozita në diskutimet që udhëhiqen në seancat. Nga pushteti me qëndrim se kjo nevojitet në rast që ndonjë deputet të infektohet me Kovid-19 ose nëse duhet të shkojnë në izolim.
