Taravari: ASH në zgjedhje do të shkojë vetë! Zejdi: Në zgjedhje do të kemi vetëm dy blloqe

TË FUNDIT

Pak para takimit të liderëve të partive politike, ndaluam disa nga krerët e partive politike, për t’i pyetur se çfarë presin nga takimi dhe a do të pranonin shfuqizimin e qeverisë teknike nëse këtë kërkesë e parashtron VMRO-DPMNE. Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, habitet pse VMRO-së i kujtohet në fund të parashtrojnë kërkesa të tilla ndërsa shton se është dashur të diskutohet para një apo dy viteve. Për kryeministrin shqiptar, thotë se duhet të respektohet marrëveshja mes LSDM-së dhe BDI-së.


“VMRO-së nuk e di pse u kujtohet çdo herë dy tre muaj para zgjedhjeve të parashtrojnë kështu pyetje. Kanë mundur ta ngrejnë si çështje para një apo dy viteve dhe mundeshim ta diskutojmë. Por tani tre katër muaj para zgjedhjeve, mua më duket paradoksale dhe tendencioze, mos e them pse.
A duhet të kemi kryeministër shqiptar për 100 ditë? Ajo është marrëveshje mes BDI-së dhe LSDM-së, nëse ka një marrëveshje të atillë absolutisht po. Unë mendoj se tendenca e VMRO-së është më shumë të mos ketë kryeministër shqiptar se sa e ka te qeveria teknike. E ka te kryeministri shqiptar!”, tha Arben Taravari – Kryetar i ASH.

Skender Rexhepi nga Lëvizja Populli, do të pranonte shfuqizimin e qeverisë teknike, nëse VMRO pranon t’i votojë ndryshimet kushtetuese. Në këtë rast edhe posti i kryeministrit shqiptar do të mund të priste.


“Kërkesa eventuale për shfuqizimin e qeverisë teknike, unë do e kisha përkrahur me një kusht që gjithë sot të dakordohemi ndryshimet kushtetuese të ndodhin para zgjedhjeve pastaj s’ka çfarë na duhet as qeveria teknike por shkojmë në zgjedhje me ndryshime kushtetuese. Në moment që arrihen ndryshimet kushtetuese, mendoj se kreministri shqiptar mund të presë”, theksoi Skender Rexhepi – Zejd – Kryetar i LP.

A do të pranonte Mickoski të ndodhin ndryshimet kushtetuese me qëllim që të kemi zgjedhje të parakohshme si dhe të shfuqizohet qeveria teknike?


“Ndryshime kushtetuese nuk do të ketë derisa të ketë rrugë të qartë europiane, nuk shohim lëvizje të qartë të politikave asimiluese dhe hegjemonistike të fqinjit tonë lindor ndaj shoqërisë maqedonase në Bullgari. Qeveria teknike nuk është pjesë e këtij takimi. Unë me sa e di bisedimet nuk janë as për ndryshimet kushtetuese as për qeverinë teknike por data e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale”, pohoi Hristijan Mickoski – Kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Sa i përket bashkëpunimeve në zgjedhje, Arben Taravari njoftoi që ASH po përgatitet të garojë e vet. Lëvizja Populli ende nuk ka vendosur si do të veprojë ndërsa Mickoski i uroi pushtetit  për shumë vite të kalojë në opozitë me qëllim që siç tha, të reformohen.