“Ali Ahmeti e mbushi kupën! Është koha për Dorëheqje”. Këtë kërkesë e bëri një nga liderët e VLEN-it Arben Taravari. Përmes një statusi në Facebook ai kërkoi dorëheqjen e kreut të integrisëve Ahmeti nga jeta politike, për shkak, siç thotë, të abuzimeve me pushtetin dhe pasurimin e familjes së tij. Rendit këto argumente, që sipas Taravarit, e bëjnë urgjente dorëheqjen:
Taravari shkruan:
1. Abuzim me pushtetin duke ndikuar në pasurimin e pandershëm të vetes dhe familjarëve të tij;
2. Mbajtja peng e popullit për dekada me formulën “me ne-punësohesh, kundra nesh-shkatërrohesh” ose mërgohesh;
3. Udhëheqës i një grupi politik që aktualisht është i akuzuar për krime të rënda korruptive;
4. Bashkëpunëtor i ngushtë me disa individë të cilët janë shpallur në kërkim ndërkombëtar;
5. Dëmtim dramatik i jetës së njerëzve dhe sidomos Shqiptarëve.
Kur Taravari e publikoi këtë, në intervistë “live” në DailyClick të TV21, ishte nënkryetari i BDI-së Bajram Rexhepi. I quajti konstatime qesharake.
“Po e shoh tani që Taravari ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, për shkak, siç thotë abuzimit me pushtetin dhe pasurimin e familjes së tij.
-Nuk do të doja të komentoja deklarata të tilla që janë kryekëput politike. Absolutisht nuk janë të vërteta. Shihni, merrni hulumtoni, të gjitha ato akuza që janë bërë, do të shihni se rezulton me konstatime qesharake. Nuk janë të vërteta absolutisht. S’do të doja të komentoja gjëra të tilla”, tha Bajram Rexhepi, nënkryetar i BDI-së.
Ndaj kërkesës së Taravarit për dorëheqjen e Ahmetit pasuan reagime edhe nga zyrtarë tjerë të BDI-së.
Nënkryetari Arbër Ademi e quajti Taravarin spin-doktori i Mickoskit që fraksionin e një partie shqiptare e ktheu në nëndegë të VMRO-DPMNE-së, ndërsa sipas Ademit, pasi humbi vulat dhe legalitetin për t’u thirrur rrejshëm si kryetar i atij subjekti, Taravari tash kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit – liderit të ligjshëm, të zgjedhur nga organet partiake dhe përfaqësuesit legjitim të shqiptarëve, të zgjedhur nga populli me mbështetje absolute. “Fokusohu, Arben; nuk e defokuson dot opinionin!” ka shkruar Ademi.
