Talat Xhaferi realizoi takim me Kryetarin e Kuvendit të Iranit

TË FUNDIT

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi  në takim me kolegun e tij iranian Ali Ardeshir Larixhani , që u mbajt në kuadër të Asamblesë së 141-të të Unionit Interparlamentar (UIP), që mbahet  në Beograd, theksuan se marrëdhëniet ekonomike midis Maqedonisë së Veriut dhe Iranit janë shumë më poshtë se mundësitë për bashkëpunim të vërtetë ekonomik, megjithëse janë krijuar parakushtet për diversifikimin e tij.

“Gjendja kontraktuese është e qëndrueshme, me tetë marrëveshje dhe kontrata të lidhura, por nevojiten përpjekje të mëtejshme për t’i kapërcyer pengesat për bashkëpunim ekonomik”, tha kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi.

Ai tregoi se ka hapësirë për avancimin e bashkëpunimit midis Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kuvendit të Republikës Islamike të Iranit, si dhe bashkëpunimin kulturor midis të dyja vendeve, në pajtim me Marrëveshjen për Bashkëpunim Kulturor.

Nga Kabineti i Kryetarit të Kuvendit njoftojnë se Xhaferi informoi për situatat aktuale në lidhje me integrimin euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, përkatësisht pritjet për marrjen e datës për fillimin e negociatave aderuese me Bashkimin Evropian dhe për integrimin në NATO, si vend anëtar i tridhjetë i Aleancës.

Kryetari i Kuvendit të Iranit, Ali Larixhani e theksoi rëndësinë e fillimit të dialogut intensiv midis Republikës Islamike të Iranit dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në fushën e bashkëpunimit ekonomik.

Për të përforcuar marrëdhëniet ekonomike dhe për të zgjeruar bashkëpunimin midis të dyja vendeve në fushën e industrisë, bujqësisë dhe xehetarisë, sipas Larixhanit, është e nevojshme që së pari të zgjidhen çështjet bankare. Hapi tjetër do të ishte zgjerimi i bashkëpunimit ndërmjet odave ekonomike.

Ai vlerësoi se liberalizimi i vizave midis Iranit dhe Maqedonisë së Veriut nuk duhet të kufizohet vetëm me bartësit e pasaportave diplomatike dhe zyrtare, por duhet të shtrihet për të gjithë qytetarët. Kryetari i Kuvendit të Iranit theksoi se do t’i jap udhëzime ministrit të Kulturës të Iranit ta ndjek gjendjen e zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit Kulturor.

Gjithashtu, Larixhani shprehu interes për përparimin e arritur nga Republika e Maqedonisë së Veriut në zgjidhjen e çështjeve të hapura me fqinjët e saj.