Takimi i liderëve nën kujdesin e presidentit Stevo Pendarovski, në të cilin duhet të bisedohet për terminin për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, është caktuar për të hënën në orën 12:00.
Informatën për MIA-n e konfirmuan nga Kabineti i shefit të shtetit, prej ku thonë se të gjithë liderët e ftuar e konfirmuan pjesëmarrjen në takim.
Në takimin paraprak që u mbajt të martën, liderët u dakorduan me konsensus se shëndeti i qytetarëve mbetet prioritet dhe se në fillim të javës së ardhshme o ë mbahet takim i ri për hapat e mëtutjeshëm pasi që të merren mendime nga Komisioni për sëmundje ngjitëse, Komisioni shtetëror zgjedhor dhe Zyra e OSBE/ODIHR-së.
“Lidhur me hapat e mëtutjeshëm u dakordua të kërkohet mendim nga Komisioni për sëmundje ngjitëse lidhur me masat dhe protokollet të cilat duhet të respektohen gjatë mbajtjes së proceseve zgjedhore në kohë të pandemisë me Kovid-19. Komisioni shtetëror zgjedhor nevojitet të parashtrojë mendim për afatet kohore që i nevojiten për përfundim të përgatitjeve për zbatim të procesit zgjedhor, ndërsa gjithashtu do të kërkohet edhe mendim nga Zyra e OSBE/ODIHR-së për kornizën kohore në të cilën mund të dërgojnë mision vëzhgues. Në fillim të javës së ardhshme do të ketë sërish takim të liderëve ku do të diskutohen hapat e mëtutjeshëm”, kumtoi pas takimit Kabineti i presidentit të shtetit.
Nga LSDM sot kumtuan se zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat tashmë janë shpallur dhe njëherë shtyrë, duhet të mbahen në terminin e parë të mundshëm, ndërsa fushata parazgjedhore dhe votimi të harmonizohen me protokollet mbrojtëse, sepse, siç cekën, të gjithë parametrat dhe të dhënat zyrtare tregojnë se epidemia është vënë nën kontroll.
“Vendimi i fundit i Gjykatës kushtetuese, e konfirmon kushtetutshmërinë e dekretit qeveritar që të ndërpriten aktivitetet parazgjedhore për zgjedhjet e shpallura për shkak të koronavirusit. Kjo do të thotë se afatet për procesin zgjedhor vazhdojnë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. KSHZ pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme, duhet t’i përfundojë obligimet dhe në afat prej 22 ditëve të mbahen zgjedhjet”, qëndron në kumtesën e LSDM-së.
Nga VMRO-DPMNE, ndërkaq, e porositën LSDM-në, “në vend se me ankand të datave për zgjehdje dhe presione ndaj KSHZ-së për shkurtime të pamatura të afateve, t’i përkushtohet mbrojtjes së shëndetit të qytetarëve”.
“E tërë sjellja e tyre, përveç joseriozitetit tregon se janë rrezik për shëndetin e qytetarëve, dhe dëshirojnë zgjedhje Fejsbuku të cilat do të jetë të parregullta dhe jo kredibile”, deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Naum Stoilkovski.
