Ta ruajmë gjuhën shqipe nga fjalët e huaja! UEJL me konferencë shkencore për mbrojtjen e gjuhëve

TË FUNDIT

Çdo ditë e më shumë gjuha shqipe është duke i zëvendësuar fjalët e saj me fjalë të huaja. Kjo ndodh për shkak të globalizmit, përdorimit të termeve të huaja, sidomos në rrjetet sociale si dhe në media.

Për të folur për këtë fenomen që e zbehë shqipen, mbi 80 studiues u mblodhën në konferencën shkencore të organizuar nga Universiteti i Europës Juglindore, Fakulteti i Shkencave dhe Komunikimit, e ku do të shpalosin metodat për mosshfrytëzimin e fjalëve të huaja në vend atë atyre shqipe.

Dekani i këtij fakulteti, Demush Bajrami, thotë se qëllimi i konferencës është ruajtja e gjuhës shqipe, por edhe gjuhëve të tjera.

“Konferenca ka për qëllim që të krijojë mekanizma mbrojtës nga i ashtuquajtur imperializmi kulturor që po ndodh në kohën e globalizmit, në kohën e teknologjive, për më tepër këtu do të shikohet që të ruhet vokacioni, të ruhet me atë që është normë, rregull gjuhësore e çdo gjuhe, sepse nëse i shikojmë edhe rekomandimet e UNESCO-s në lidhje me mbrojtjen e gjuhëve, sepse kemi raste kur brenda dy javësh një gjuhë mund të ikë nga realiteti i saj gjuhësor, atëherë kjo imponon që ne të kemi kujdes nga kjo rrezikshmëri”, tha Demush Bajrami, dekan i Fakultetit të Komunikimit – UEJL.

Profesoresha e gjuhës, Merale Veseli thotë se ruajtja e gjuhës shqipe mund të bëhet duke mos i përdorur fjalët e huaja kur nuk është e nevoja për to.

“Gjuha shqipe duhet të mbrohet nga ne, jo vetëm nga akademikët, jo vetëm nga profesorët, por nga çdonjëri nga ne, sepse ne e mbrojmë identitetin tonë në atë mënyrë, mbrojtja e gjuhës është mbrojtja e identitetit”, pohoi Merale Veseli, profesoreshë e gjuhës shqipe .

Në media, por edhe në komunikim të përditshëm qoftë zyrtarë ose jozyrtar, çdo ditë mund të haset zëvendësim i fjalëve shqipe me fjalë të huaja. Për shembull në vend të fjalës “pajtim” përdoret “abonim”, në vend të fjalës “thirrje” përdoret fjala “apel”, në vend të “i vrazhdë” përdoret “brutal”, dhe si këto mund të gjenden edhe qindra shembuj të tjerë.