Një student i mjekësisë në Indi është vënë nën vëzhgim pasi ishte kapur duke mashtruar me një pajisje mikro Bluetooth, që besohet se e kishte futur në mënyrë kirurgjikale në vesh, ka thënë një zyrtar i kolegjit.
Kjo ishte përpjekja e fundit e studentit të hënën për të kryer provimin, pasi kishte dështuar vazhdimisht që nga pranimi në kolegj, 11 vjet më parë.
Studenti i kolegjit privat mjekësor po paraqitej për provim në Kolegjin Mjekësor Memorial “Mahatma Gandhi”, kur u gjet me një telefon celular në xhepin e brendshëm të pantallonave të tij, i cili ishte i lidhur me një pajisje Bluetooth, ka thënë për The Independent, mjeku Sanjay Dixit, dekan në mjekësi, në këtë kolegj.
“Ai ishte në provimin e Mjekësisë së Përgjithshme të hënën me 13 të tjerë, kur një skuadër universitare e Universitetit Devi Ahilya Bai erdhi për një kontroll të befasishëm dhe ata gjetën një student me një telefon celular dhe një tjetër me një pajisje Bluetooth”, ka thënë Dixit.
Pas marrjes në pyetje nga zyrtarët e kolegjit, një zyrtar ka thënë se studenti kishte një pajisje mikro Bluetooth në ngjyrën e lëkurës, të fiksuar në vesh nga një kirurg ORL, raportoi Hindustan Times.
Një student tjetër u kap me një pajisje të vogël me energji SIM dhe një pajisje mikro Bluetooth, por u tha autoriteteve të kolegjit se nuk ishte futur në mënyrë kirurgjikale dhe mund të hiqej me një kunj.
Dixiti ka thënë për The Independent se studentët i kishin fshehur qëllimisht këto pajisje sepse atyre iu kërkua t’i dorëzonin të gjitha sendet elektronike tek mbikëqyrësit.
Një hetim i brendshëm ka nisur nga Komiteti universitar i provimeve, derisa pajisjet janë dërguar për ekzaminim.
Në një incident tjetër që rrëmbeu titujt e shumë mediave botërore, disa prindër dhe të afërm të studentëve u filmuan duke u ngjitur në muret e shkollës në vitin 2015, ndërsa policia qëndronte afër duke parë mashtrimin masiv në Bihar. Fotot u bënë virale, qindra u arrestuan, duke përfshirë disa prindër, dhe të paktën 750 studentë u përjashtuan.
