Maqedonia nuk është e përgatitur për përballimin e katastrofave – ka konstatuar Enti Shtetëror i Revizionit. Një nga rreziqet më të theksuara janë zjarret pyjore, ndërsa raportet e Sistemit Evropian të Informacionit tregojnë se në vitin 2024 në vend janë regjistruar 97.660 hektarë sipërfaqe e djegur, që është niveli më i lartë në dekadën e fundit dhe më shumë se sipërfaqja e përgjithshme e djegur në gjashtë vitet paraprake së bashku.
“Sipas të dhënave të NP „Pyjet Kombëtare“, në periudhën 2023–2025 janë evidentuar 82.714 hektarë sipërfaqe e djegur, 914.657 m³ masë drusore e djegur dhe dëme në vlerë prej 133.663.967 eurosh, ndërsa vetëm në vitin 2024 dëmi arrin në 83.121.333 euro”, thonë nga ESHR.
Revizorët kanë konstatuar dobësi në planifikimin strategjik, koordinimin dhe menaxhimin e resurseve, kapacitete të pamjaftueshme njerëzore dhe materiale, si dhe investime të kufizuara në modernizim dhe pajisje. Dobësitë dhe nevoja për reforma janë konstatuar që me shqyrtimin e realizuar nga BE-ja në vitin 2018, por deri në ditën e revizionit, reformat nuk janë zbatuar.
Revizorët kanë konstatuar se nuk është miratuar Strategjia Kombëtare për Mbrojtje dhe Shpëtim, ndërsa e fundit ka qenë në fuqi deri në vitin 2018.
“Është hartuar Draft-strategjia për periudhën 2026–2030, e cila nuk është miratuar, ndërsa nuk është miratuar as Programi Vjetor për Mbrojtje dhe Shpëtim për zbatimin e strategjisë. Plani për Mbrojtje dhe Shpëtim nuk është përditësuar, ndërsa gjatë revizionit nuk është paraqitur dëshmi se ai është miratuar nga Qeveria. Vlerësimi i rrezikshmërisë nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë e tjera është miratuar në vitin 2007 dhe nuk është përditësuar në përputhje me rreziqet e reja dhe kushtet bashkëkohore”, theksojnë nga ESHR.
Drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Stojançe Angellov, thotë se për dobësitë e Sistemit për Menaxhimin e Krizave kishte paralajmëruar edhe më herët, kur ishte drejtor i Qendrës për Menaxhimin e Krizave. Ai konsideron se një pjesë e këtyre dobësive është zvogëluar ndjeshëm me ndryshimet dhe plotësimet e vitit të kaluar në Ligjin për Menaxhimin e Krizave, ndërsa një pjesë tjetër me ndryshimet në Ligjin për Mbrojtje dhe Shpëtim, të miratuara në qershor të këtij viti.
“Këtë verë nuk pati nevojë për kërkesë për ndihmë ndërkombëtare. Përkundrazi, për herë të parë që nga ekzistimi i saj, DMSH-ja në Mekanizmin Evropian për Mbrojtje dhe Shpëtim deklaroi dy „air tractor“-ë për t’u ardhur në ndihmë vendeve të tjera. Pavarësisht dobësive dhe mangësive ekzistuese, këtë verë Maqedonia u përball më me sukses se kurrë më parë me zjarret në hapësira të hapura”, pohoi Stojançe Angellov, drejtor i DMSH-së.
Angellov thotë se reformat në Sistem vazhdojnë më tej, me synim krijimin e një institucioni të vetëm që do të bashkojë funksionet e QMK-së dhe DMSH-së.
