“Kur vjen në Strugë, të mos vijë të haj me Merkon darka edhe dreka por le të vijë të shoh ku i ka dhënë licencat e gurorëve”
Kjo është porosia e banorëve të Belicës së Strugës, drejtuar Ramiz Merkos dhe Kreshnik Bekteshit.
Banorët janë të irrituar nga guroret e shumta në këtë fshat të cilat janë të vendosura shumë afër shtëpive të tyre.
E për këtë fajësojnë ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshin, i cili siç thonë, jep leje për gurore pa standarde.
Përveç se kamionët ua prishin rrugët, pluhuri dhe minimi i gurorëve ua prish edhe shtëpitë, e më e keqja thonë se çdo ditë thithin pluhur.
“I votojmë për popullin, nuk i votojmë për vete për ata, në qoftë se mendojnë që votojnë për vete, atëherë le të dalin të thonë se votojnë për neve pikë. Ata lë të pasurohen ne do të vuajmë edhe ashtu janë duke e bërë, ne jemi duke vrarë kokën tonë me gurin tonë, me gurin jemi duke vrarë kokën tonë se shkojmë e japim votën dhe atij nuk i intereson aspak”- thotë një banor.
“5 gurore janë këtu jemi bërë të ikësh natën jo ditën, me guroret është edhe më keq gjithmonë i kemi, uji 2 muaj, a guroret gjithmonë tani do na sjellin edhe gurore të tjera”- ankohet një banor.
“Në qoftë se nuk zgjidhet ky problem, ne do të ngremë këshill iniciues, do t’i ndalim edhe guroret, do të dalim në rrugë me makina me sende do t’i ndërpresim punimet dhe do t’i vendosim kushtet tona, sepse nuk kanë të drejtë aq afër vendbanimit të jenë ato, nuk kanë të drejtë të punojnë natë ditë dhe me vite këtu, dikush është bërë miliarder e ne mbytemi në pluhur”- ankohet një tjetër banor.
Problemi tjetër është uji i pijshëm, me fillimin e muajit maj për disa fshatra të Strugës fillon problemi me ujin e pijshëm.
Ndër fshatrat pa ujë është edhe Belica, e cila gjatë gjithë verës përballet me mungesë uji.
Ata thonë se Ramiz Merko i viziton vetëm për zgjedhje, ju premton zgjidhje të problemit dhe më pas nuk e shohin më, e nuk i pranon as në zyrë.
“Edhe zgjedhje kur ka ne e kërkojmë zgjidhjen e këtij problemi, askush nuk përgjigjet për këtë. Do e bëjmë, do e bëjmë dhe asgjë. Neve nuk na intereson çfarë bëjnë ata, ne duam zgjidhje që fshati jonë Belicë të ketë ujë, se në ujë jemi të mbytur, prej këtij fshati gjithë komuna e Strugës furnizohet kurse fshati jonë nuk ka ujë”- thotë një tjetër banor.
Në këtë fshat nuk ka as kryetar të bashkësisë lokale, e për këtë ata gishtin e drejtojnë te Merko sepse siç thonë nuk mund të zgjedhin cilin duan ata, por duhet të zgjedhin atë që pëlqen Merko.
“Nuk na lejojnë të kemi kryetar fshati, sepse duan të zgjedhin ata kush do të jetë”
Kërkuam përgjigje nga Bekteshi dhe Merko për këto akuza dhe deri në këtë edicion të lajmeve ende nuk kemi marrë përgjigje.
