“Ajo që mu më është dukur problematike te MO është pikërisht kjo që gjuha shqipe nuk trajtohet si vlerë e diversitetit dhe në vetvete, por kuantifikohet te 20%. Nuk duhet të themi se MO paska qenë e shkëlqyer e tani nuk po zbatoheshka dhe jemi në gjendje katastrofike, fatale, se nuk është e vërtet”, tha Albin Kurti – kryeministër i Kosovës.
Kjo deklarate e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili përsëriti qëndrimin e tij se gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk gëzon statusin e gjuhës zyrtare, por përmend si gjuhë që e flasin 20% dhe se Marrëveshja e Ohrit nuk është e përsosur nxiti reagim nga lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Kreu i integristëve vlerëson se Marrëveshja e Ohrit është themeli i të drejtave të shqiptarëve në vend dhe kujtoi se ajo është arritur me sakrifica dhe gjak të derdhur.
“Me këtë marrëveshje unë e lashë këtë vend me gjuhë shqipe zyrtare, me flamur kombëtar zyrtar, me tre universitetet në gjuhën shqipe, me mbi 25.000 administratorë shqiptarë, me kryeministër shqiptarë, me kryeparlamentarë shqiptarë e me pafund e me pafund institucione shtetërore të drejtuara nga shqiptarët. Vlen nuk e ka vullnetin e popullit, nuk e ka legjitimitetin e votës, sepse i humbi zgjedhjet dhe hyri në qeveri si i preferuari i VMRO-së e jo i shqiptarëve”, u shpreh Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.
Reagoi deputeti i VLEN-it, Bekim Qoku, përmes një postimi në fajsbuk, duke ironizuar Ahmetin lidhur nocionin e “gjakut të derdhur”.
“Sa gjak është derdhur për qendrën tregtare Soravia, z. Ali Ahmeti?”, tha Bekim Qoku, deputet i VLEN-it.
Debati për Marrëveshjen e Ohrit dhe statusin e gjuhës shqipe ka rikthyer përplasjet politike mes aktorëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Ndërsa Albin Kurti vazhdon të vlerësojë se të drejtat gjuhësore nuk janë të rregulluara në mënyrë të plotë, Ali Ahmeti mbron Marrëveshjen e Ohrit si gurthemel të avancimit të pozitës së shqiptarëve në vend.
