Specializantët privatë do të ngriten në protestë: Kontributet që marrim janë të turpshme për një mjek

TË FUNDIT

Kushtet jo të mira për specializim dhe kontributet e ulëta që marrin prej 26 mijë denarëve, janë vetëm dy nga arsyet për të cilat specializantët privatë do të protestojnë. Rreth 600 specializantë javën e ardhshme do të ngriten në këmbë, duke shpresuar se ministri i ri i Shëndetësisë do t’i dëgjojë ankesat e tyre pasi që deri tani thonë se nuk janë marrë parasysh.

“Përgjithësisht problematika kryesore është paga prej 26 mijë denarëve që do të thosha se është e turpshme për një mjek dhe absolutisht nuk është ndryshuar nga momenti që kur është sjellë si rregullore, për hir të së vërtetës është vetëm rregullore nuk është as ligj. Mjekët e rinj sikurse të mos ekzistojnë, nuk janë në letër por kontributet na paguhen nga vullneti i mirë siç do të thoshin nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Bojan Trajkovski – kryetar i Lidhjes së Specializantëve Privat.

Më e palogjikshmja mes të gjitha problemeve, sipas mjekut Bojan Trajkovski, është fakti që nuk kanë as sigurim shëndetësor.

“E dyta do të protestojmë për përmirësimin e kushteve të funksionimit të specializimit, normalisht edukimi i të njëjtave dhe sigurisht për vendosjen e tyre në sistemin e sigurimit shëndetësor. Kjo është e palogjikshme, persona mjekësor të mos kenë sigurim shëndetësor. Trajtohen mes vete sepse nuk kanë mënyrë të sigurohen përveçse të paraqiten si të papunë dhe paralelisht të vazhdojnë me specializim, apo në marrëdhënie pune që nuk është e rregulluar si duhet”, pohoi Bojan Trajkovski – kryetar i Lidhjes së Specializantëve Privat.

Nga Ministria e Shëndetësisë ende pa përgjigje nëse do të realizojnë takim dhe do të dëgjojnë kërkesat e specializantëve privatë, ose do të rrinë duarkryq para protestave përballë protestave të njëpasnjëshme.