Qindra tullumbace të bardha në shenjë solidariteti me Idlibin.
Përmes kësaj proteste simbolike këta të rinj e ngrejnë zërin për mizoritë që po kryhen në qytetin Sirian.
“Ne kemi pasur raste të tilla edhe më parë. Është gjenocidi në Kosovë dhe Srebrenicë të Bosnjës ku kemi pritur nga komuniteti ndërkombëtar të ndërmarrë veprime për të ndaluar dhunën dhe masakra të mëtejshme. Tani kemi ardhur në pozitën e njëjtë, edhe pse është thënë se nuk do të lejojmë të ndodhë, por ja që po ndodh, sidomos në lindjen e mesme dhuna ka eskaluar”, u shpreh Muhamed Tahiri, Koordinator i “ We Are The Love”.
Ky është një mesazh për botën dhe kërkesë për të ndaluar bombardimet e spitaleve, shkollave dhe të ketë korridore të lira për furnizime humanitare përreth 3 milion e gjysmë civilët atje.
“Janë target shkollat, fëmijët, civilët dhe gratë që nuk duhet të preken nga lufta, shpresojmë që nëpërmjet kësaj ta ngremë sadopak zërin dhe të ndikojë në arenën ndërkombëtare”, tha Zinur Emini.
“Këtu jemi të tregojmë se jemi kundër luftërave në botë, kundër masakrave dhe duhet t’i tregojmë botës si zë i rinisë se jemi pro paqes në gjithë botën, përfshirë edhe Lindjen e Mesme”, theksoi Erkam Ismaili.
Në të njëjtën kohë me Shkupin, tullumbace në shenjë proteste u lëshuan edhe në 18 qytete të ndryshme të Evropës si dhe vetë qytetin Idlib.
Për situatën atje në fund të majit reagoi edhe ndihmës-sekretarja e përgjithshme e Kombeve të Bashkuara Ursula Myler duke kërkuar para Këshillit që menjëherë të ndërmerret diçka për ndërprerjen e sulmeve në zona civile.
Përgatiti: Besir Arifi
