Për kufizimet e mundshme për hyrjen e udhëtarëve nga Kroacia në Slloveni për shkak të rritjes së numrit të rasteve të “importit” të koronavirusit, Qeveria do të miratojë vendim të enjten, deklaroi zëdhënësi Jellko Kacin, për Radion Sllovene.
“Ne do të presim deri të martën për t’i parë rezultatet e testeve të së hënës, dhe nëse deri atëherë nuk ka ndryshim në mënyrën e funksionimit të klubeve të natës dhe lokaleve në Kroaci, atëherë do të duhet t’i kufizojmë infeksionet e importuara në një farë mënyre,” tha Kacin duke shtuar se në atë rast, qeveria do të vendosë për propozimin e epidemiologëve të enjten.
Drejtori i Institutit Kroat të Shëndetit Publik, Krunosllav Çapak, njoftoi të enjten se të gjitha kafenetë dhe klubet mund të punojnë deri në mesnatë.
Kacin shtoi se nga 15 rastet e infeksionit të konfirmuara në Slloveni me testim të shtunën, të paktën tetë ishin transmetuar nga Kroacia dhe se klubet e natës janë akoma burimi më i madh i rasteve të sjella në Slloveni. (Mia)
