Në Slloveni është konfirmuar rasti i parë i variantit Omicron. Këtë e bëri të ditur kryeministri slloven Janez Jansha gjatë fjalimit të tij në Parlament para seancës së rregullt.
“Sekuencimi e ka zbuluar personin e parë të infektuar me Omikron, varianti i virusit që përhapet më shpejt dhe tashmë është i pranishëm në shumë vende të BE-së”, tha kryeministri i Sllovenisë Janez Jansha.
Në Slloveni vazhdon trendi i zbutjes së gjendjes epidemiologjike në valën e katërt të epidemisë. Por ministri i Shëndetësisë së Sllovenisë, Janez Puklukar paralajmëron se rezultatet e javës së kaluar tregojnë se trendi deri diku është i ngadalësuar dhe për këtë nuk duhet të pritet lehtësim i masave pandemike në afat të shkurtër.
Në 24 orët e fundit në Slloveni janë regjistruar 1.712 raste të reja me virusin korona.
