S’kanë të ndalur reagimet për Gashin – Pushteti s’sheh arsye për përgjegjësi, opozita kërkon që ai të ndryshohet

TË FUNDIT

Interpelanca për kryeparlamentarin është eksperiment anti-NATO. Ky është vlerësimi i koalicionit VLEN e cila u vendos në mbrojtje të kryeparlamentarit Afrim Gashi pasi që dje LEVICA parashtroi kërkesë për mocion mosbesimi. Nga ky koalicion thonë se është krijuar histeri në opinion pas incidentit që ka ndodhur në aeroport, kur Gashi ka dërguar sigurimin e tij për incidentin me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanit.

“Në mënyrë pompoze kërkohet përgjegjësi politike. Ndërtohet një konstrukt rreth sigurisë së Kryetarit të Kuvendit. Levica është parashtrues i interpelancës, LSDM-ja e mbështet, ndërsa BDI-ja kërkon alibi për të hyrë hapur në këtë grup dhe për të kaluar nga roli i përkrahësit të heshtur në atë të koordinatorit politik. Dilema kryesore është nëse BDI-ja është aq e frikësuar nga ajo që vjen, saqë është e gatshme të koordinohet edhe me LEVICËN vetëm që të mos flitet për krimin e ish-funksionarëve të saj”, thotë VLEN.

Nga LSDM edhe më tej kërkojnë përgjegjësi për Gashin. Sipas tyre, Mickoski ka mbyllur sytë para shkeljes së ligjeve nga ana e kryeparlamentarit dhe me këtë e ka shkelur dhe premtimin se çdo funksionar i cili do të gabojë do të japë përgjegjësi.

“Mickoski gjunjëzohet para Gashit dhe kjo është për keqardhje për t’u parë. As LSDM as dikush tjetër nuk ka shkruar qartë në raportin policor se është dhënë “urdhër joligjor nga ana e Kryetarit të Kuvenit”. A nevojitet dëshmi më e madhe se kjo? I bëjmë thirrje Mickoskit që të marrë guximin dhe të ndryshojë Gashin. Vetëm kështu do të dëshmojë se e mbanë fjalën për përgjegjësi të politikanëve, në të kundërtën do ta porosisim që të hesht përgjithmonë në këtë temë”, thotë LSDM.

Akuzave iu përgjigj VMRO-DPMNE. Thonë se përgjegjësia tashmë është përcaktuar, duke aluduar për shefin e sigurimit të Gashit, dhe siç thonë ata, reagimet e opozitës janë vetëm për pikë politike.

“Tashmë përgjegjësia është zbardhur dhe institucionet kanë marrë masa urgjente si asnjëherë më parë. Tashmë qytetarët janë dëshmitarë se ka kallëzime penale për dallim nga e kaluara. Ne dëshmuam se ka shtet dhe se ligjet duhet të zbatohen njësoj për të gjithë. Përpjekjet e LSD-së, BDI-së dhe Levicës për të fituar disa pikë politike në këtë temë nuk na befasojnë dhe presim përpjekje të tilla dhe të ngjashme për sjellje devijuese nga ana e tyre në të ardhmen”, tha Maria Miteva, zëdhënëse e VMRO-DPMNE.

Kabineti i  presidentes së Kosovës, Osmani, dje përmes një komunikate tha se mënyra se si u zgjidh incidenti në aeroportin e Shkupit, pas konferencës së përbashkët për media të Mickoskit dhe Kurtit, ishte për keqardhje dhe se, siç theksohet, i kontribuoi edhe më shumë propagandës kundër Kosovës.