Kontrolli i fluturimeve në aeroportin e Shkupit u bë me sistem të ri për menaxhimin e trafikut ajror. Sipas drejtorit të Navigacionit të Maqedonisë, Vlladimir Risteski, vënia në përdorim e sistemit të ri është me rëndësi të madhe për M-NAV dhe me të nuk fitohet vetëm teknologji e re, por krijohet një bazë e qëndrueshme dhe moderne mbi të cilën duhet të zhvillohet i gjithë sistemi i navigacionit ajror.
“Me sistemin e ri ATM, para së gjithash e stabilizojmë M-NAV-in si ofrues të shërbimeve të navigacionit ajror dhe sigurojmë një nivel më të lartë të sigurisë, vazhdimësi në ofrimin e shërbimeve, dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme në një periudhë kur trafiku ajror përmes hapësirës ajrore të Maqedonisë shënon rritje enorme”, deklaroi Vladimir Risteski, drejtor i M-NAV.
Ministri i Transportit, Nikolloski, theksoi se ky është një sistem që ka histori të gjatë dhe është përcjellë nga skandale. Prokurimi kishte filluar që në vitin 2014, ndërsa kontrata ishte lidhur në vitin 2018 me kompaninë italiane „Leonardo“. Deri në vitin 2024 nuk kishte pasur asnjë aktivitet, ndërsa me rastin ishin marrë organet hetimore. Ai thotë se e ngjashme është edhe historia me radarin, për të cilin kontrata për herë të parë ishte nënshkruar në vitin 2022 dhe deri në vitin 2024 nuk kishte pasur asnjë aktivitet.
“Radari i ri tashmë është në Kullën e Kontrollit dhe aktualisht po kryhen testimet e nevojshme. Gjatë muajit shtator ose tetor do të vihet plotësisht në funksion, me çka qielli maqedonas do të ketë sistemin më të lartë të kontrollit dhe sistemin më të lartë të sigurisë. Me futjen në përdorim të këtyre dy sistemeve, sistemit ATM dhe radarit të ri, e mbulojmë plotësisht qiellin maqedonas në nivelin më të lartë që aktualisht mund të gjendet në botë për sa i përket kontrollit dhe sigurisë”, theksoi Aleksandar Nikoloski, zëvendëskryeministër dhe ministër i Transportit.
Sipas Nikolloskit, sistemi i ri ATM është veçanërisht i rëndësishëm për shkak të rritjes së numrit të fluturimeve mbi hapësirën ajrore të Maqedonisë.
