Skadon afati i 350.000 vaksinave! 120 milionë euro do të shfrytëzohen për pajisje mjekësore

TË FUNDIT

Deri në fund të vitit do të skadojë afati i 350.000 vaksinave kundër Covid-19. Nuk do të blihen vaksina të reja, shkaku i interesit të ulët për vaksinim. Ministri i Shëndetësisë, Bekim Sali thotë se në bazë javore vaksinohen nga 1.000 qytetarë, kurse sipas të dhënave të Institutit për Shëndet Publik, ky numrër arrin deri në 300.

120 milionë euro nga Banka Botërore në vend që të harxhohen për vaksina, do të ridedikohen për pajisje moderne për spitalet.

“Furnizimi i këtyre vaksinave… domethënë ne paguajmë vaksina të cilat nuk do t’i shfrytëzojmë dhe vendimi ynë është të mos furnizohen, sepse nuk mund t’i shfrytëzojmë. Ato mjete do të dedikohen për sektorin e shëndetësisë. Nuk kemi marrëveshje për të paguar gjoba, marrëveshja është e hapur, pasi ne kemi siguruar sasinë të cilën mund ta furnizojmë, kurse nuk jemi të obliguar”, tha Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Deri në fund të vitit, shumë institucione do t’i kenë në dispozicion pajisjet mjekësore, thotë Sali. Ai shpjegon se me këto pajisje do të ofrohet shërbim i përparuar shëndetësor, të cilin për momentin pacientët nuk e kanë, pasi pajisjet janë të vjetruara ose stafi shëndetësor nuk është trajnuar mjaftueshëm.

“Kjo pako tani për tani kap vlerën prej 12 milionë eurove. Ne tashmë jemi duke punuar në mënyrë intensive për të ofruar shërbim shëndetësor i cili është i centralizuar në Qendrën Klinike Universitare”, deklaroi Bekim Sali, ministër i Shëndetësisë.

Edhe përkundër interesit të dobët nga ana e qytetarëve, euroambasadori Dejvid Gir theksoi rëndësinë e vaksinave anti-covid, duke paralajmëruar se do të imunizohet me dozën e katërt në Poliklinikën “Bukuresht”. Në ndërkohë, mbërritën edhe pajisjet e reja për magazinim dhe transportim të vaksinave.

“Duke parë nga aspekti shëndetësor, kjo gjithashtu përfshin edhe dërgesën e pajisjeve mjekësore që do të thotë jetë. Këtu janë përfshirë 25 ventilatorë mekanikë, 35 komplete pajisjesh mjekësore dhe mbi 2 milionë komplete për mbrojtje shëndetësore personale. BE-ja ka dërguar qindra mijë vaksina, e në këtë rast, Maqedonia e Veriut merr pajisje për transport dhe magazinim të vetë vaksinave”, theksoi Dejvid Gir, euroambasador.

Gir theksoi se gjatë gjithë procesit në luftën kundër Covid-19, BE-ja ka ndihmuar me mbi 241 milionë euro për Ndihmën e Shpejtë për t’u ballafaquar me virusin korona.