Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit e gjimnazit “Kiril Pejçinoviq” në Tetovë ende nuk ka filluar. Shkolla është në grevë për shkak vonesës së rrogave.
“Vërtetë është nëpërkëmbje shumë e madhe sepse nuk është hera e parë, e tha edhe kolegu. Ne mendojmë se kësaj praktike duhet t’i vij fundi sepse me Ligj duhet rrogat të jepen deri më datë 15, ndërsa me datë 16 ne mund edhe të padisim. Andaj le të jetë si vërejtje kjo sepse edhe herën e parë njëjtë ndodhi”- deklaroi Ismail Amiti – Profesor.
Drejtoresha e shkollës e quan çështje politike. Sipas saj tashmë janë politizuar edhe mësimdhënësit.
“Asnjë informacion zyrtarë për çështje bojkoti nuk kam. E ajo që po vazhdon politika me Gjimnazin, e shihni. Politika ka hy aq thellë dhe aq janë instrumentalizuar mësimdhënësit, sa që më nuk e dinë se kujt i shërbejnë”- pohoi Teuta Llalla – drejtoreshë e Gjimnazit “Kirill Pejçinoviq”.
Nga komuna, gjegjësisht Sektori për arsim, thonë se faji është te ministria e cila sipas tyre ende nuk i ka lëshuar bllok donacionet.
“Kjo s’ka lidhje me komunën sepse bllok-dotacionet janë ende në Ministri. Kompetencat na u kthyen para një javë dhe jemi në procedurë të kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, që mjetet e dotacioneve për gjimnazin, nga Ministria të transferohen në komunë dhe kjo do të zgjidhet. Me kalimin e këtyre mjeteve në komunë, nuk do të ketë asnjë problem as me rroga as me asgjë”- tha “Nazmi Dauti, Sektori i Arsimit , Komuna e Tetovës.
E nga MASH thonë se kryetari i komunës Bilall Kasami në orët e pas ditës ka thirrur mbledhje dhe është përpjekur që ta shkarkojë drejtoreshën Teuta Lalla.
“U habita para një akti të kryer për tentimit të shkarkimit të drejtoreshës së gjimnazit të Tetovës Teuta Lalla, ashtu siç ka ndodhur edhe më herët, pasi që ju jeni në dijeni se e keni përcjell. Sinqerisht u befasova nga vetë gjyqësia që mbretëronte në atë mbledhje nga ana kryetarit dhe këshilltarit të tij juridik, duke mos u marr parasysh parimin e prezumimit të pafajësisë që do të thotë nuk mund të konsiderohet dikush fajtor nëse nuk e shpall gjykata fajtor.”- tha Lirim Shala – përfaqësues i MASH-it.
Ne kontaktuam edhe me shërbimin për informim të komunës së Tetovës, por nga nga atje nuk deshën të komentojnë akuzuat e Shalës.
