S’ka barazi gjinore në postet ministrore, BDI gratë i ka paraparë në eshalonet tjera!

TË FUNDIT

Katër ministre femra do të numërojë Qeverie e re për të cilën do të debatojë përbërja e re parlamentare, e që duhet të votohet më së voni deri sonte në mesnatë. Prej 19 ministri vetëm 4 u takojnë grave. Të gjitha janë nga radhët e LSDM-së. Milla Carovska ministre në arsim, Radmilla Shekerinska në ministrinë e Mbrojtjes, Irena Stefova në kulturë dhe Jagoda Shahpaska në Ministrinë për punë dhe politikë sociale.

“Mbetemi me qëndrimin se përfaqësimi duhet të jetë 50 përqind gra dhe 50 përqind burra”, tha Daniella Kolleva – deputete nga LSDM.

BDI nuk ka propozuar asnjë grua në krye të ndonjë ministrie, por Artan Grubi nga kjo parti thotë se kanë paraparë që gratë do t’i vendosin në eshalonet tjera.

“Eshaloni i parë nuk është i vetëm, kemi zëvendësministra, sekretarë shtetërorë dhe drejtorë. Ju e dini që BDI ka qenë avangardë në propozimin e femrës”, deklaroi Artan Grubi nga BDI.

Skender Rexhepi Zejdi tha se parajsa është nën këmbët e nënës dhe duhet të nisemi nga ky parim.

“Ne duhet të jemi protagonist të ruajtjes së vlerave për barazi gjinore dhe në atë kontekst ne gjithmonë duhet ta ushqejmë këtë parim. Mos të harrojmë që fundja se xheneti është nën këmbët e nënës”, tha Rexhepi-Zejd.

Deputetja Maja Moraçanin tha se numri i grave është i ulet prej asaj që ata kërkojnë.

 “Numri i grave është më i ulët prej asaj që neve kërkojmë, e ajo është gjysma e deputetëve të jenë gra”, deklaroi Maja Moraçanin – deputete.

Ndërsa Antonio Milloshoski thotë se do të kemi qeveri burrash pasi LSDM ka manipuluar me premtimet e tyre.

“Ato të cilët më së shumti flisnin për barazi gjinore më së shumti dështuan në realizim. Po shoh se qeveria është qeveri burrash”, tha Antonio Milloshoski deptet.

Për dallim nga pushteti ekzekutiv, kjo përbërje parlamentare po i afrohet kuotës legale prej 40 përqind. 43 gra fituan mandate, përballë 77 burrave në përbërjen e re parlamentare