Presidenti sirian Ahmad al-Sharaa pritet të kërkojë zyrtarisht nga Moska ekstradimin e ish-presidentit Bashar al-Assad, gjatë një vizite zyrtare që do të zhvillohet të mërkurën në kryeqytetin rus, raportoi Reuters.
Në delegacionin që do ta shoqërojë Al-Sharaan do të jenë ministri i Jashtëm, ai i Mbrojtjes dhe shefi i Inteligjencës, në një seri takimesh të nivelit të lartë me zyrtarë rusë. Bisedimet synojnë riformulimin e marrëdhënies strategjike midis dy vendeve, në një moment kyç për të ardhmen politike të Sirisë.
Në qendër të agjendës pritet të jetë edhe roli i Rusisë në Siri, përfshirë fatin e bazave ushtarake në Tartus dhe Hmeimim, që prej vitit 2015 kanë qenë pika strategjike të operacioneve ruse në Lindjen e Mesme.
Sipas burimeve diplomatike, vizita e Al-Sharaas mund të shënojë një kthesë historike në marrëdhëniet siriano-ruse. Qeveria e re në Damask synon të forcojë pavarësinë politike të vendit, pa cenuar bashkëpunimin strategjik me Moskën.
Megjithatë, kërkesa për ekstradimin e Assadit, i cili u largua nga vendi pas rrëzimit të tij vitin e kaluar, pritet të testojë kufijtë e mbështetjes ruse ndaj udhëheqjes së re në Siri dhe mund të rishkruajë ekuilibrat e pushtetit në rajon.