Sindikata e Policisë dhe ARM-së në protesta! Kërkohet rritje e pagave dhe sistemim i ushtarëve në institucione

TË FUNDIT

Kryetar i Sindikatës së Pavarur të Ushtarëve Profesionistë, Adnan Aliti, thotë se vitet e fundit nuk ka pasur sistemim të pjesëtarëve në institucione, ashtu siç parashihet me ligj pasi t’i mbushin 45-vjeç. Nëse nuk ka zgjidhje për statusin e tyre dhe rritje të pagave, ai paralajmëron se do të protestojnë para Qeverisë duke qëndruar aty nën tenda.

“Pothuajse se dy vite disa persona janë në njësi rajonale të ministrisë së Mbrojtjes, me këtë vetëm i bëhet problem Ministrisë së Mbrojtjes. Protesta e dyti do të jetë me vendosjen e tendave para Qeverisë së RMV ku do të qëndrojmë deri sa nuk zgjidhet statusi i ushtarëve profesionistë dhe mos zgjidhjen e pjesës që kanë mbetur në njësit rajonale për pagë nën minimale”, tha Adnan Aliti.

Zëvendësministri i Mbrojtjes, Bashkim Hasani, për Tv21 tha se sistemim ka pasur çdo vit, përveç këtij viti, ndërsa sa i përket pagave beson qe do të ketë rritje ashtu siç parashihet me ligj.

“Në Qeveri sillet vendim që çdo ushtar që e ka plotësuar kushtin të sistemohet në institucione tjera shtetërore, Qeveria me vendim të njëjtit ata ushtarë i sistemon dhe institucionet tjera janë të obliguar që të njëjtit t’i pranojnë në punë”, tha Hasani.

Nga ana tjetër protesta paralajmëron edhe Sindikata e Pavarur e Policisë, të cilët përveç rritjes së pagës kërkojnë konsultim për propozim ligjin për integritet dhe kontroll të pasurisë i cili parashihet të kryhet çdo tre muaj.

“Ne kërkojmë asgjë më shumë, kërkojmë vetëm respektim të ligjit të cilat referohen ndaj punëtoreve të policisë. Nuk mundet punëtorët e policisë posaçërisht Sindikata e pavarur që numëron më shumë se 3100 anëtarë të mos konsultohet, të mos jetë e thirrur të jap propozimin e tyre në lidhje me këtë çështje”, tha Goce Dellçev, kryetar i Sindikatës së pavarur të policisë.

Ministri i Brendshëm, Oliver Spasovski, sot nuk ndaloi për t’u përgjigjur në pyetje të gazetarëve.

Nga Sindikata sot i bënë thirrje Ministrit që të jetë i pranishëm në protestën e 26 shkurtit.