Studentët e Katedrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Fakultetin Filozofik në kuadër të UCM, sot mbajtën simulim në seancën e Këshillit për Siguri, në organizim të Qendrës presidenciale për arsim politik, me mbështetje nga fondacioni partner “Fridrih Ebert”.
Siç kumtoi kabineti i Presidentit të vendit, në simulim morën pjesë nëntë studentë dhe secili prej tyre ishte në rolin e anëtarit të Këshillit të Sigurisë. Temë e diskutimit ishte “Mbrojtja e mjedisit jetësor dhe ndotja e ajrit”, ndërsa dy prej studentëve e prezantuan Ministrin e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor dhe ish-drejtorin e Inspektoratit Shtetëror për Mjedis Jetësor. Presidenti Stevo Pendarovski mori pjesë në simulim dhe e udhëhoqi si seancë të rregullt të Këshillit të Sigurisë.
“Qëllimi i simulimit është të afrohet puna e institucioneve ndaj kuadrove të reja dhe praktikisht të njoftohen me procedurat e funksionimit të organeve dhe trupave shtetërore”, porositi presidenti Pendarovski.
Para studentëve, presidenti i Republikës e elaboroi rolin e Këshillit të Sigurisë, përbërjen e tij dhe punën, duke shtuar se temat më të zakonshme të Këshillit deri më tani kanë qenë gjendja politike dhe e sigurisë në shtet.
“Pasi institucionet punojnë në interesat e qytetarëve, për herë të parë në seancën e Këshillit të Sigurisë kemi biseduar edhe për mjedisin jetësor në të cilën morën pjesë edhe përfaqësues të sektorit joqeveritar. Kriza shëndetësore, pandemia, vaksinat, lajmet e rrejshme ishin, gjithashtu, tema të Këshillit për Siguri periudhën e kaluar”, tha presidenti Pendarovski.
Në drejtim të zbatimit autentik të ngjarjes, studentët morën materiale dhe informacione dhe u njoftuan me dispozitat e Ligjit për informacione të klasifikuara dhe me certifikatat e sigurisë.
