Shkollat periferike në Pollog drejt mbylljes! Kryetarët e komunave kërkojnë uljen e orëve për arsimtarët

TË FUNDIT

Rënia e vazhdueshme e numrit të nxënësve dhe zbrazja e fshatrave malore të Tetovës mblodhi kryetarët e komunave të Pollogut të mblidhen për të diskutuar procesin e optimizimit të shkollave. Sipas kryetarit të këtij rajoni planor, Blerim Sejdiu, shumë shkolla periferike së shpejti pritet të mbyllen për shkak të mungesës së nxënësve, ndërsa arsimtarët do të duhet të transferohen në vatrat qendrore arsimore.

“Tani si sfidë më kryesore janë shkollat periferike apo të malësisë ku nuk ka asnjë nxënës. Tek ne konkretisht nuk ka asnjë shkollë, po do paraqiten ku nuk do të ketë asnjë nxënës dhe ajo shkollë fatkeqësisht dhe detyrimisht do duhet të mbyllë. Ka nisur optimizimi në të gjithë Maqedoninë dhe do të vazhdojë edhe në shkollat e tjera. Këtu nuk ka faj askush se një shkollë e caktuar nuk ka nxënës fare. Flasim, nëse ka një nxënës, shkolla do vazhdojë me procesin mësimor, por nëse s’ka asnjë nxënës do detyrohemi që të mbyllim atë shkollë dhe ai arsimtar apo ata arsimtarë do të duhet të transferohen në shkollat qendrore”, theksoi Blerim Sejdiu, kryetar i rajonit planor të Pollogut.

Sejdiu tregoi se kryetarët e komunave kanë rënë dakord t’i drejtojnë një kërkesë zyrtare Ministrisë së Arsimit. Ata kërkojnë që fondi javor i orëve të arsimtarëve të uljet nga 20 në 15 orë, si dhe numri minimal i nxënësve për paralele të jetë 15 dhe jo mbi 20 siç është aktualisht. Sipas tyre, ky hap do të ndihmonte në ruajtjen e cilësisë së arsimit dhe do të parandalonte mbylljen e mjaft klasave në zonat malore.

“Kështu që duke pasur parasysh performancën dhe numrin e nxënësve, ashtu edhe kërkesat tona do t’i bëjmë. Kemi pika taksative se çfarë do t’i drejtojmë ministrisë dhe për këtë e theksojmë përsëri që të ruajmë vetëm e vetëm kualitetin arsimor tek shkollat tona”, shtoi Sejdiu.

Këtë vit në rajonin e Pollogut u mbyll shkolla periferike në fshatin Sellcë të Keqe, ndërsa vitin e kaluar dyert e saj i mbylli edhe shkolla në fshatin Veshallë. Përderisa vatrat arsimore në fshatrat malore po shuhen dita-ditës, në shkollat e qytetit vërehet një rritje e numrit të nxënësve.