Siljanovska e Mickoski thirrje për punë të përbashkëta. Krerët e shtetit urojnë Bajramin e Kurbanit

TË FUNDIT

Në urimin drejtuar Bashkësisë Fetare Islame, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova, uroi që festat të sjellë lumturi dhe paqe, ndërsa shkruan se Bajrami i Kurbanit thekson bamirësinë, dhurimin dhe solidaritetin, duke frymëzuar për vepra humane dhe mbështetje për të gjithë ata që kanë nevojë.


“Të japim dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbështesim njëri-tjetrin, së bashku në të mirat dhe të këqijat, pa dallim feje, etnie, gjinie apo çfarëdo përkatësie dhe të punojmë për prosperitetin e atdheut tonë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve maqedonas”, ka shkruar Gordana Siljanovska, presidente.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, në urimin e tij, shkroi se ngjarja e babait të monoteizmit, Ibrahimit, me të birin e tij, Ismailin, është jo vetëm skena më prekëse në shiritin e historisë, por është edhe ngjarja më mbresëlënëse në kuptim të gatishmërisë së njeriut për të flijuar dhe për t’u flijuar për një premtim dhe për një vlerë të përtejme.


“E duke i ndërmendur të gjithë ata etër të vendit tonë e të kombit tonë, që me veprën e tyre ose, shprehur me gjuhën e kësaj feste, me kurbanin e tyre na kanë mundësuar të kemi një jetë të dinjitetshme e paqësore, uroj që kjo festë t’ju ketë gjetur pranë sofrave familjare, duke i uruar e duke i përqafuar të dashurit tuaj, duke u kujdesur për nevojtarët e duke u solidarizuar me ata që nuk kanë nevojë vetëm për bukë, por edhe për buzëqeshje”, ka shkruar kryeparlamentari Afrim Gashi.


Uruan edhe kryeministri në detyrë, Talat Xhaferi si dhe ai i ardhshmi, mandatari Hristijan Mickoski.


“Festa e madhe e Kurban Bajramit, le të jetë shkas për t’u tubuar rreth gjirit familjar, për të ndarë gëzimet, sukseset, por edhe brengat dhe shqetësimet, sepse familja është bërthama thelbësore dhe qeliza prej të cilës fillon dhe ndërtohet një shoqëri e shëndoshë, me vlera dhe standarde pozitive”, ka shkruar kryeministri Talat Xhaferi.

“Kjo festë e madhe kujton ekzistencën njerëzore, si dhe rëndësinë e madhe të besimit, mirëkuptimit dhe tolerancës reciproke si kushte thelbësore për bashkëjetesë dhe paqe. Prandaj ju ftoj të gjithëve që të fillojmë së bashku, duke tejkaluar të gjitha problemet së bashku, për ta ndërtuar Maqedoninë mbi vlerat dhe parimet europiane. Ka ardhur koha që bashkërisht të ndërtojmë baza më të forta për një standard më të mirë jetese për çdo qytetar, pavarësisht përkatësisë etnike apo fetare, themele për zhvillimin dhe prosperitetin e vendit tonë”, ka shkruar Hristijan Mickoski, mandatar.

Urime për festën kanë dërguar edhe krerë dhe përfaqësues edhe të partive politike.
Dita e sotme ishte ditë pushimi për të gjithë besimtarët myslimanë të Maqedonisë së Veriut.