Sigurimi i pronës në rast të fatkeqësive natyrore/ Qytetarët pak të vetëdijshëm për rëndësinë e sigurimeve

TË FUNDIT

Sigurojmë shtëpitë, objektet dhe gjësendet me vlerë në rast se vidhen, por të njëjtat nuk i sigurojmë për raste katastrofash natyrore. Pavarësisht se vitet e fundit Maqedonia është përballur me plot zjarre e përmbytje, të rrallë janë ata që i sigurojnë tokat dhe të mbjellat në rast se pësojnë nga katastrofa natyrore. Kjo për shkak të vetëdijes së ulët dhe të pamjaftueshëm të qytetarëve. Ekspertët thonë se sigurimi i tokave dhe të mbjellave është i nevojshëm, sepse humbjet dëmshpërblehen në rast të katastrofave natyrore.

 “Ne shpresojmë se me programin që qeveria e sjellë për pjesën e sigurimeve në bujqësi ku në partneritet do të marrin pjesë edhe kompanitë së bashku do të marrin pjesë edhe qeveria, sigurimet e bujqësisë që e mbulon edhe rrezikun nga vërshimet dhe breshëri si katastrofa natyrore shumë shpejtë do të zhvillohen”- deklaroi Trajçe Latinovski, Drejtor i Byrosë Nacionale të Sigurimeve.

Situata është e ngjashme në të gjithë vendet europiane. Ekspertët theksojnë se është e nevojshme t’i qasemi sigurimeve duke edukuar opinionin për përparësitë dhe përfitimet.

“Është shumë e vështirë të bindësh njerëzit të marrin sigurime, sepse askush nuk dëshiron të mendojë për rreziqet. Njerëzit harrojnë të bëjnë sigurim për fatkeqësitë. Situata është e njëjtë si në Belgjikë, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut. Është një problem që kemi dhe ne duhet të edukojmë qytetarët që të jenë më të vetëdijshëm për rreziqet”- pohoi Karel Van Hule, ekspert sigurimesh nga Belgjika.

Fatkeqësitë natyrore janë rikujtim se sa e rëndësishme është mbrojtja e qytetarëve nga këto rreziqe, të cilat kërcënojnë jetën, shëndetin dhe pronën. Shuma e sigurimit është gjithmonë më e lartë nëse bëhet menjëherë pas një fatkeqësie natyrore.