A ka ndryshuar qëndrimi i VMRO-DPMNE-së rreth asaj se si do të votojnë lidhur me amendamentit ndaj Rezolutës që i dorëzoi LSDM-ja, i cili ka të bëjë me përdorimin e emrit kushtetues të shtetit – Republika e Maqedonisë së Veriut? Pasi dje Antonio Milloshoski tha se kur amendamenti në fjalë do të gjendet para deputetëve ata do të shprehen “të përmbajtur” dhe se me shumicën e pushtetit do të miratohet, nënkryetari Vllado Misajllovski i prerë se do të votojnë “kundër” gjithçkaje që e mban emrin e ri të shtetit.
“Absolutisht ne do të jemi “kundër”, jo vetëm për Rezolutën, por edhe për çdo ligj ku do të ketë ndryshim të emrit kushtetues. Më me rëndësi është të sillet Rezoluta, kurse ne do të jemi kundër çdo amendamenti, synimi i të cilit është ndryshim i emrit kushtetues”, tha Misajllovski.
Vetë deklarata e Milloshoskit se ata do të shprehen “të përmbajtur” për votimin e amendamentit për vendosjen e emrit kushtetues, ngjalli dilema – a do të fillojë VMRO-DPMNE në mënyrë të heshtur ta pranojë termin Maqedonia e Veriut?
“Sa i takon këtij amendamenti do të jemi të përmbajtur, por ata kanë numër të mjaftueshëm për ta votuar. Për ne, me rëndësi është se përmbajtja e Rezolutës e cila ka të bëjë me pozitat maqedonase ndaj Bullgarisë do të ruhet”, tha Milloshoski.
E gjithë kjo ndodhi pasi një ditë më parë ambasadorja e SHBA-ve në vend, Kejt Meri Bërns, realizoi takim me kryetarin e partisë, Hristijan Mickoski, për t’ia përcjellë mesazhin e Presidentit amerikan, Xho Bajden. Ambasadorja Meri Bërns për këtë informoi përmes profilit të saj në Tuiter.
“Takim me kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski për ta informuar për Urdhrin e ri ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor”, njoftoi Bërns.
Ndryshe, ky Urdhër ekzekutiv për Ballkanin Perëndimor ishte lëshuar muajin e kaluar nga ana e Presidentit amerikan Xho Bajden, në të cilin mes të tjerësh përmendet edhe obligimi i të gjitha strukturave politike që t’i respektojnë dispozitat e Marrëveshjes së Prespës, në të cilën është definuar përdorimi i emrit kushtetues së Republikës së Maqedonisë së Veriut.
