Shumë të rinj e tepruan më alkool/ Nga ahengu përfunduan në Toksikologji

TË FUNDIT

E tepruan me alkool, e menjëherë pas mesnate vërshuan Klinikën e Toksikologjisë. Shumica e pacientëve ishin të mitur nga mosha 14 deri 18 vjeç, kurse në klinikë i sillnin shoqëria me të cilët kanë festuar ndërrimin e motmoteve. Kështu deklaroi drejtori i Toksikologjisë, Ridvan Bajrami, i cili tha se ka pasur të alkoolizuar të cilët janë sjell edhe me ambulancë.

“Në Klinikën tonë janë pranuar 22 pacientë të alkoolizuar. Sipas strukturës kanë qenë 6 gra dhe vajza si dhe 16 burra dhe djem, për fat të keq dominon gjenerata e re, pra të mitur nga mosha 14-18 vjet. Të gjithë janë trajtuar në ambulancë dhe janë lëshuar për në shtëpi”- deklaroi Ridvan Bajrami, Drejtor i Toksikologjisë.
Pas mesnate edhe Urgjenca ka pasur punë të shtuar. Mjekët kanë bërë 80 kontrolle që kanë ndodhur si pasojë e aksidenteve në rrugë dhe përleshjeve fizike. Drejtori i Qendrës për Urgjencë, Aleksandar Trajanvoski tha se për fat të mirë të gjithë pacientët kanë qenë me lëndime të lehta trupore.
“Gjatë natës së Vitit të Ri në Qendrën e Urgjencës janë bërë 80 kontrolle, prej të cilave 4 ishin aksidente trafiku, si dhe 4 përplasje fizike. Të gjithë ishin me lëndime të lehta trupore, pa pasoja të rënda kështu që të gjithë pacientët janë lëshuar në mjekim shtëpiak. Incidente dhe problem tjera nuk janë paraqitur, ekipi i Urgjencës ishte i përgatitur për pranime gjatë gjithë natës”- deklaroi Aleksandar Trajanovski, Qendra e Urgjencës.
Sipas Ministrisë së Brendshme, nata e ndërrimit të viteve kaloi e qetë, pa shqetësime të mëdha të rendit dhe qetësisë publike. Sipas të dhënave të MPB-së, krahasuar me natën e Vitit të Ri të kaluar, mbrëmë ka pasur 30 për qind më pak ngjarje të raportuara. Denoncime të rasteve më së shumti ka pasur në Shkup, pasuar nga Ohri, kurse në Veles nuk ka pasur asnjë denoncim për prishje të rendit.
“Në total gjatë natës kemi 10 vepra penale , nga të cilat 4 janë vjedhje të rënda, një në tentativë. Kemi dy akte dhune dhe dy vepra për prodhim dhe shpërndarje të paligjshme të narkotikëve, substancave psikotrope dhe prekursorëve. Dy vjedhje, njëra prej të cilave edhe në tentativë. Kemi regjistruar shkelje nga Ligji për rendin dhe qetësinë publike, gjithsej 15. Kemi shkelje nga Ligji për sigurinë në komunikacionin rrugor, gjithsej tetë dhe janë 16 aksidente trafiku dhe pesë ngjarje të tjera të raportuara. Nëse e krahasojmë me vitin e kaluar, kemi një ulje prej 30 % e të gjitha ngjarjeve të regjistruara”- deklaroi Oliver Spasovski, Ministër i Brendshëm.
Nga Shërbimi i Ndihmës së Shpejtë në Shkup, gjatë 24 orëve ka pasur 100 intervenime, prej të cilave 40 kanë qenë të shkallës së parë urgjent. Nga Ndihma e shpejtë thonë se ka pasur shumë thirrje nga prindërit të cilët kanë pyetur se si të sillen me fëmijët e tyre të dehur.