U premtua shumë herë, por vendi ku duhet të ndërtohet shkolla në Vizbeg ende është bosh.
Javën e kaluar Qeveria dha dritë jeshile për ndërtimin e kësaj shkolle. Madje zëvendëskryeministri i Qeverisë Artan Grubi në facebook shkroi se të gjitha pengesat për ndërtimin e shkollës në Vizbeg janë tejkaluar.
“Me Ministrinë e Arsimit dhe atë të Transportit u tejkaluan të gjitha pengesat për ndërtimin e shkollës në Vizbeg, ndërsa në mbledhjen e sotme të qeverisë u miratua edhe programi për investime kapitale duke përfshirë këtë shkollë në Vizbeg bashkë me atë të Bllacës”, tha Artan Grubi – zëvendëskryeministër i parë.
Po kështu nuk mendon ministrja e arsimit Milla Carovska. Ajo thotë se ende ka një diskutim mes Komunës së Butelit dhe Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.
“Për momentin ka diskutim në mes Komunës dhe Ministrisë së Transportit që të mund të jepet leje për ndërtim dhe prej atij momenti ministria e Arsimit dhe Shkencës kur t’i ketë të gjitha bazat për tenderim atëherë do të mund të ndërtohet.
Unë mendoj se kjo shumë shpejt do të tejkalohet dhe të hyjmë në fazën e tenderimit dhe të mund të fillon ndërtimi i shkollës këtë vit”, deklaroi Milla Carovska – Ministre e Arsimit dhe Shkencës.
E nga Ministria e transportit për TV21 thonë se kanë pasur takim me përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, kur kanë kërkuar që MASH dhe Komuna e Butelit t’i kryejnë të gjitha procedurat dhe më pas fjalën e fundit do ta jep Ministria e transportit dhe lidhjeve. E derisa institucionet hedhin topin tek njëra-tjetra, nxënësit e Vizbegut vazhdojnë mësimin ta ndjekin nëpër shkolla të komunave tjera.
