Shumë fjalë e pak vepra kundër korrupsionit/ Sallai: Asnjë lëndë që kemi nisur nuk ka epilog gjyqësor

TË FUNDIT

Lufta kundër korrupsionit ditëve të fundit është kryefjalë, por kundërthënës është fakti që asnjë lëndë që ka nisur Komisioni për parandalim të korrupsionit nuk është proceduar. Shemsi Sallai, anëtar i Antikorrupsionit në emisionin “10 Minuta” të TV21 tha se për 4 vite ekzistencë asnjë lëndë e tyre për korrupsion, për nepotizëm e as për konflikt të interesit nuk është proceduar.

“Iniciativat tona nuk kanë ardhur deri në gjykatë, dmth deri në prokurori dhe aty kanë përfunduar. Në 4 vite ne kemi diku 27 iniciativa për përgjegjësi penale dhe 31 iniciativa për përgjegjësi nga organe tjera të ndryshme për zyrtarë ose punonjës të tjerë të caktuar që kanë shkelur ligjin. Nga të gjitha këto epilog nuk ka”- deklaroi Shemsi Sallai, anëtar i Antikorrupsionit.

Keqpërdorimi i 3.5 milionë eurove për 150 automjete luksoze në kohë pandemie, zgjedhja e vajzës së kryeparlamentarit Xhaferi në Këshillin mbikëqyrës të EMV-së, transaksionet e dyshimta të prezantueses Ejupi, dyshim për keqpërdorim të pozitës si ministër i Kulturës Hysni Ismaili, keqpërdorim i mjeteve nga BE nga ish-drejtoresha Lidija Dimova, janë vetëm disa prej rasteve që ka ngritur Antikorrupsioni, por asnjëra prej tyre nuk ka epilog gjyqësor. Sipas Sallait, disa raste janë ende në sirtarët e prokurorisë dhe presin përgjigje, ndërsa pjesa më e madhe e lëndëve janë hedhur poshtë si të pabaza ose nuk kanë elemente për të ngritur aktpadi në gjyq.

“Tash a ka ndikim politika, ndikimi është një gjë që nuk mund të dëshmohet si ndikim, por nga vet fakti se nuk është vepruar në kohë, janë elemente që të japin atë ndikimin deri diku dëshmitë e ndikimit”- pohoi Shemsi Sallai, anëtar i Antikorrupsionit.
Në ndërkohë të gjithë zyrtarët aktual dhe të kaluar në mënyrë deklarataive janë shprehur të gatshëm që të luftojnë korrupsionin por në praktikë asnjëri pushtet nuk ndryshoi asgjë. Ambasadorja amerikane Angela Ageler tha se korrupsioni në Maqedoni është evident edhe kur shkojnë qytetarët në mjek, kur regjistrojnë fëmijën në shkollë si dhe kur kërkojnë punë.